28 Prill, 2025 - 11:29 am
Për të 17-in vit radhazi, nxënësit e gjimnazeve të qytetit të Korçës, sollën spektaklin më të madh rinor, ku talentet e të rinjve shpalosën në Rin Show, në një festival ku arti, pasioni dhe ëndrrat bashkohen në skenë.
Mbrëmjen e djeshme ishte nata finale e Rin Show 2025, pas 5 netësh emocionuese të një edicioni të jashtëzakonshëm që mbushi qytetin me dritë, art e pasion.
“Korça rrezaton jetë dhe rini! Fituesit e këtij edicioni janë nxënësit plot energji të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, të cilët me performancat e tyre treguan se e ardhmja është në duar të sigurta”, shkroi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
Aktivitetet e këtij spektakli rinor u zhvilluan në Teatrin “Andon Z. Çajupi”.
Spektakli përfshinte të gjitha disiplinat artistike me performancë plot argëtim, nga nxënësit e talentuar të gjimnazeve të Korçës: “Preka”, “Ymer Dishnica”, “Faik Konica”, “Platon”, “Raqi Qirinxhi” dhe Gjimnazi “Themistokli Gërmenji”.
Përveç fituesve të “Raqi Qirinxhi” edhe talentet e “Faik Konicës” u vlerësuan me tre çmime në natën finale të Rin Show 2025: Çmim për video mesazhin më të mirë, Aktorët më të mirë dhe këngëtarja më e mirë./atsh/KultPlus.com