13 Shtator, 2024 - 12:38 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë njoftoi se kanë rinisur gërmimet në Finiq.
Në javën e dytë të muajit shtator, projekti shqiptaro – italian (Instituti i Arkeologjisë së Tiranës dhe Universiteti i Bolonjës, Itali), për të 25-tin vit radhazi, rinisin gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit.
Gërmimet këtë vit janë përqëndruar në dy sektorë, në sektorin e agorasë, ku gërmimet kanë për qëllim zbulimin e godinave dhe rrugëve kryesore të kësaj zone, si dhe në sektorin mbi shkallaren e teatrit antik, ku mendohet se ndodhen rrënojat e një monumenti me karakter fetar.
Si përherë, gërmimet do të shoqërohen me masa paraprake konservimi, në bashkëpunim edhe me DRTK Vlorë.
Qyteti Antik i Finiqit ndodhet 10 km në jugperëndim të Delvinës, mbi një kodër përbri fshatit Finiq. Qyteti Antik i Finiqit ndryshe Foinika, është një qytet i lashtë ilir dhe kryeqyteti i kaonëve. Është gjithashtu vendi ku u hartua marrëveshja e Finiqit, me të cilën u përfundua Lufta e Parë Maqedone./atsh/KultPlus.com