Ripërpunohet kënga e Kongresit të Lushnjes në 100-vjetorin e parlamentit

18 Janar, 2020 - 6:28 pm

Në kuadrin e veprimtarive për kremtimin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, nën kujdesin dhe me mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, është ripërpunuar dhe publikuar Kënga e Kongresit të Lushnjes, shkruan Konica.al

Më, 21 Janar 2020 parlamentarizmi shqiptar do të mbushë një shekull jetë.

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punën prej vitit të kaluar për një sërë aktivitetesh për celebrimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë kombëtare.

Kongresi i Lushnjes i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar te vitit 1920.

Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga reziku i coptimit të Shqipërisë.

Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshem i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur keshtu ceremonin e hapjes së Kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani.

Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Mbas këtyre fjalimeve, me vendim unanim nga të gjithë delegatët u vendos që t’i dërgohej një telegram ngushëllimi familjes së Abdyl Ypit dhe pas formulimit të atij telegrami, u mbyllën punimet e asaj dite për të filluar të nesërmen më 30 janar. Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë.

Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Nga kjo analizë u nxuarr si konkluzion se ajo qeveri kishte dalë dhe kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu ajo qeveri kishte penguar mbledhjen e Senatit që ishte vendosur në Durrës dhe me administrimin e saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki të madhe e kishte çuar në krijimin e një situate të acaruar politike.

Nisur nga këto, ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes. /KultPlus.com

Të ngjajshme