24 Janar, 2023 - 12:31 pm
Korça prej kohësh është kthyer në qytetin e preferuar të shqiptarëve, të cilët e frekuentojnë jo vetëm në ditë festash, apo kur mbulohet nga dëbora, por përgjatë gjithë vitit.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo në vijim të promovimit të eventeve dhe objekteve që ia vlejnë të vizitohen nga banorët e Korçës por edhe vizitorët, solli për publikun imazhe nga shtëpia e piktorit korçar Koço Ristani e cila është kthyer në atraksion.
“Vendosur në zemër të një prej lagjeve historike të Korçës, “Ristani Art and Food” të fton të shijosh ushqimet tradicionale në sfondin e koleksionit të pikturave të mjeshtrit korçar të penelit Koço Ristani”, shkruan Filo.
Piktori restaurator Koço Ristani u nda nga jeta vitin e shkuar. Ai zë një vend të veçantë në historinë e restaurimit të veprave të artit në Shqipëri. Figura e Koço Ristanit është shumëplanëshe, pasi ai ka qenë piktor, skenograf, kostumograf, dekorator, grafist dhe restaurator i veprave të artit mesjetar.
Ristani ishte nxënës i Vangjush Mios, Abdurrahim Buzës, Kel Kodhelit, Sadik Kacelit, Janaq Paços, Sali Shijakut e Muntaz Dhramit. Në vitin 1980 Koço Ristani ishte pjesë e grupit të parë të restauratorëve të veprave të artit mesjetar në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë./atsh/ KultPlus.com