3 Prill, 2020 - 5:01 pm
Nëna e Rita Orës, psikiatrja Vera Sahatçiu, është rikthyer në vijën e parë të luftës me COVID-19, duke iu bashkuar Shërbimit të Shëndetit Kombëtar në Angli në një përpjekje për të ndihmuar në kaosin e krijuar prej pandemisë, shkruan “mail-online”, transmeton KultPlus.
Këngëtarja shqiptare iu bashkua nismës simbolike të anglezëve “Clap For Carers” të enjten në mbrëmje (20:00), duke duartrokitur për mjekët dhe infermierët, ndërkohë videon e ka ndarë me fansat e saj në Instagram.
Rita mbante një kostum sportiv shumëngjyrësh, ndërsa me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, filloi duartrokitjen për të gjithë mjekët dhe për nënën e saj në veçanti.
Deri më tash, në Britani të Madhe janë regjistruar 33.718 të infektuar me koronavirus, ndërkohë kanë vdekur 2.921. / KultPlus.com