30 Maj, 2024 - 12:00 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 30 maj të vitit 1990 nisi hapja e Shqipërisë ndaj perëndimit.
Nga një vend i izoluar tërësisht nga bota, vitet ’90 filluan të rrëfenin erën e lirisë edhe për Shqipërinë.
Përafrimi i Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara i ka fillesat tek vizita në Tiranë e dy kongresmenëve amerikanë, Tom Lantosh dhe Jozef DioGuardi (arbëresh-amerikan).
Në këtë vizitë u hodh idea e hapjes së ambasadës amerikane në Tiranë si dhe hapja ndaj Perëndimit. Ramiz Alia, në atë kohë në krye të shtetit, i mirëpriti propozimet për rivendosjen e marrëdhënieve që do të konkretizohej me hapjen e përfaqësive përkatëse, disa muaj më vonë.
Në përshëndetjen e mirëseardhjes, Alia do të shprehej: “Në Amerikë, vëllezërit tanë kanë gjetur një atdhe të madh dhe këta vëllezër kanë ruajtur lidhjet me atdheun e tyre. Ne i jemi mirënjohës presidentit Wilson për çështjen shqiptare”.
Lantosh, i njohur edhe si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, ishte i idesë se vetëm hapja e një ambasade amerikane në Tiranë mund të shënonte një pikë kthese në marrëdhëniet ndërshtetërore.
Në koherencë me Alinë, ish-kongresmeni DioGuardi tha gjatë pritjes se Amerika u bë atdheu mikpritës i shqiptarëve, duke shfaqur të njëjtat vlera si Shqipëria që strehoi komunitetin hebre. Takimi u përshkua nga nota të ngrohta midis palëve./atsh/KultPlus.com