23 Korrik, 2024 - 11:40 am
Riviera Shqiptare prezantohet sot në faqen e parë të prestigjiozes britanike “Daily Mail”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e gazetares Jo Kessel botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail”.
Shqipëria përshkruhet si një vend me diell 300 ditë në vit, me temperatura rreth 18 gradë Celsius deri në nëntor dhe plazhet e saj jugore përshkruhen si “Maldivet e Evropës”.
“Nuk ka shumë destinacione mesdhetare që mund të konsiderohen si një “zbulim i ri”, por Riviera Shqiptare – shtrirja jugore e vijës bregdetare të Shqipërisë – është një prej tyre”, shkruan ndër të tjera Joe Kessel.
Sipas “Daily Mail” ujërat bruz dhe plazhet e pacenuara e bëjnë këtë vend ballkanik destinacionin e ri të pushimeve.
Ndërsa rendit vendpushimet më të mira bregdetare të Shqipërisë, “Daily Mail” nënvizon faktin se Shqipëria ofron çmime më të lira se Greqia.
“Vetëm dy milje e ndajnë ishullin grek të Korfuzit nga ky destinacion ballkanik – dhe të njëjta ujëra bruz të Detit Jon shtrihen në brigjet e të dy vendeve. Ndryshe nga Greqia, Shqipëria ofron çmime më të lira. Ushqimi është i shijshëm (peshku i freskët, mishi i qengjit dhe sallatat), një gotë e madhe me verë kushton 1,70 paund dhe dhomat në hotelet luksoze me pesë yje kushtojnë vetëm 50 paund në natë”, vijon më tej artikulli./atsh/KultPlus.com