20 Shkurt, 2024 - 8:35 pm
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe nënshkruan sot, një marrëveshje bashkëpunimi, me në fokus kujtesën, rivlerësimin e personaliteteve dhe ngjarjeve historike.
Në fokus të marrëveshjes së nënshkruar nga Drejtorja e AIDSSH-së, Genta Sula dhe Drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli në Qendrën TUMO është edhe dhënia e kontributit në njohjen e së shkuarës, nëpërmjet hapësirave e mundësive për ballafaqim me dosjet dhe historitë e komunizmit, për edukimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e dialogut të shëndetshëm shoqëror, në emër të një të ardhmeje më të mirë.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të realizojnë veprimtari të përbashkëta për promovimin e jetës dhe veprës së autorëve të njohur të vetëdijes kombëtare shqiptare, botime, takime informuese me nxënës të shkollave të mesme, studentë, pedagogë, studiues të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të përvojave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve.
Gjithashtu, Sula dhe Bardhyli angazhohen të shkëmbejnë botimet e realizuara nga të dyja institucionet. Autoriteti do të ofrojë serinë e botimeve të cilat hedhin dritë mbi periudhën e errët të komunizmit dhe krimet e kryera nga ish- Sigurimi i Shtetit si dhe botime mbi personalitete historike të kohës, ndërsa Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të ofrojë botimet e saj.
Autoriteti dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të angazhohen bashkërisht për promovimin e botimeve me natyrë historike brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Po në ambientet e Qendrës TUMO, në 33 vjetorin e rënies së monumentit të diktatorit Enver Hoxha dhe nisjes së një epoke të re për Shqipërinë, pa dhunë, terror, persekutime dhe internime, AIDSSH themeloi Klubin e Librit të Tiranës ku me mësues dhe nxënës u diskutua për librin e Lekë Tasit, “Grabjani rrëzë kodrave”.
Aktiviteti është periodik i Klubit të Librit-“Mësojmë nga e kaluara”, pjesë e Platformës shkollore me burime të hapura ” Mësojmë nga e kaluara” që organizohet për mësuesit e historisë, letërsisë dhe qytetarisë, ky synohet diskutimi i librave që përshkruajnë ngjarje të jetuara nga diktatura komuniste, duke krijuar qasje qofte tek dëshmitarë të kohës, qofte në dokumente te Arkivës se AIDSSH-së.
“Grabjani rrëzë kodrave” është një libër me tematike nga ngjarjet që i përkasin periudhës së erret diktatoriale, me mohimin e lirisë dhe shprehjes përshkruar me nota realiste në rrëfimin mbi internimin e familjes së autorit si dhe qindra e mijëra familje të tjera, mes viteve 1944-1991.
Me shkrimtarin Lekë Tasi, ish i përndjekur politik dhe të tjerë shkrimtarë që prekin ngjarje të patrajtuara të periudhës 1994-1991, Autoriteti po punon ngushtësisht që programi i KLUBI I LIBRIT-“Mësojmë nga e kaluara” të shtrihet gjerësisht të mësuesit dhe nxënësit e arsimit parauniversitar . Ky është klubi i dytë, pas atij të Korçës, që tashme ka diskutuar dy libra: “Rrufe me Shtëpinë e Mikpritësit” të Marcel Hilës, dhe “Odiseja e Pafajësisë” e Leke Pervizit./atsh/KultPlus.com