20 Shkurt, 2022 - 5:54 pm
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka publikuar disa fotografi gjatë vizitës së saj të fundit në gjigandin metalurgjik “Trepça” në 33 vjetorin e nisjes së grevës së urisë, shkruan KultPlus.
Rizvanolli ka shkruar në “Facebook” se 20 shkurti është datë që na bën të ndalemi e të reflektojmë për gurëthemelet që e kanë bërë të mundur vetë ekzistencën tonë.
“Rëndësia e muajit shkurt për Republikën e Kosovës shtrihet në dy data. Përderisa 17 shkurti na shtyen të shohim të ardhmen e Republikës tonë dhe na nxitë të punojmë palodhshëm për një zhvillim e properitet të hovshëm, 20 shkurti na bën që të ndalemi e të reflektojmë për gurëthemelet që e kanë bërë të mundur vetë ekzistencën e Republikës tonë”.
Ajo shtoi tutje se 1 mijë e 300 minatorët morën mbi supe peshën e rëndë të rezistencës.
“33 vite më parë, 1,300 minatorë morën mbi supe peshën e rëndë të rezistencës e cila nuk u lehtësua pas 8 dite urie por veçsa u rëndua në javët, muajt e vitet në vijim nga përndjekja politike që pësuan”.
Përpos gjithave, Rizvanolli gjithashtu tha se vlerën e kësaj tashmë e bartë historia.
“Por ishte po ajo peshë që ka shërbyer si katalizator i rezistencës paqësore, të domosdoshme e kritike për të luftuar regjimin monstruoz të kohës. Është nder e kënaqësi që këtë përvjetor ta kujtojmë sot së bashku me minatorët e Trepçës”.
“Greva e nisur në Trepçë, ka motivuar e nxitur lëvizje revolte paqësore por konsistente e të fuqishme jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë rajonin për idealet e përbashkëta të demokracisë, drejtave njerëzore, autonomisë e drejtësisë”. /KultPlus.com