7 Dhjetor, 2023 - 9:45 pm
Ndërtimi i hekurudhës Peqin-Elbasan në një imazh të korrikut të 1950-ës, shfaq në plan të parë një grua që shtyn një karrocë dhe në sfond, pesë të tjera që punojnë për trasenë. Gratë, të veshura me funde e pantallona të shkurtra rikrijojnë një çast idilik në pamje të parë, por përtej, ka një sforco për t’i dhënë jetë një udhe. Mbase një udhe që ato vetë nuk mund ta shkelin.
Imazhi i mësipërm është veçse një prej dhjetëra fotografive të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, pjesë e ekspozitës “Roads untraveled” në panairin Klik Ekspo Group në Tiranë.
Rrugë, hekurudha, ura e hidrocentrale shpalosen në imazhe të messhekullit të kaluar duke dokumentuar njerëz e kohë në situata pune.
“Të gjithë ata që shihen në fotografi, janë njerëz që kanë punuar për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Siç mund të vihet re edhe nga imazhet, ata nuk kishin mjetet e duhura për të bërë punë të tilla në infrastrukturën rrugore. Nuk kishin gjithashtu, asnjë mjet që t’i shëtisnin ato rrugë dhe mbi të gjithë, nuk patën as lirinë për ta bërë”, thotë Valbona Zhupa, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Nga një fotografi në tjetrën, nga 1945 deri nga 1952, fotografi lëviz nëpër udhët e Shqipërisë duke ndjekur me objektiv, kazmat, lopatat, karrocat. Këmbëzbathur, të veshur keq dhe në kushte pune që as aparati nuk ua fsheh dot vështirësinë, shqiptarët e kohës në Shqipërinë komuniste, fiksohen duke skalitur gjurmë pas gjurme, ndërtime publike.
Aparati i ndjek në zona të ndryshme duke rrëfyer diku imazhe shkatërrimi e diku, inaugurimi.
Në një krah, shfaqet inaugurimi i urës së Rrogozhinës, matanë, brigadat e vullnetare të të rinjve në Tepelenë dhe po aty, pamje nga ndërtimi i hidrocentralit mbi lumin e Matit, në maj 1952, bashkë me transportimin e materialeve për punimet e rrugës Milot – Ulëz.
Një numër i madh fotografish përjetësojnë inaugurimin e veprave publike të 1945-ës (pak muaj pas përfundimit të luftës), mes tyre, ura e Penkovës, bashkë me autoritetet që kalojnë mbi të, me makinat e kohës, apo ajo e Hasan Beut në Berat. Në krahun tjetër, është ura e Vaut të Dejës më 29 nëntor 1945 si edhe ura e Baçallëkut në Shkodër, krah urës së shkatërruar të Bunës.
Në 11 prillin e 1945-ës është fiksuar në celuloid ura e Mirashit në Librazhd, ndërsa tre ditë më parë ishte inauguruar ura e Matit e rindërtuar. Fieri vjen përmes urës së Mbrostarit dhe ekspozita sillet mes gjeografisë e historisë në një përshkrim të ftohtë.
Një imazh sjell aspekte të punës për ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi me grupe banorësh që janë fiksuar me lopata, kazma e karroca. Sado që fotografi ka qenë neutral në gjuhën e përdorur, duke mbetur disi e drunjtë, ka dy elemente që e thyejnë gjuhën e tyre – këmbët e zbathura në një anë dhe çadrat e hijes, në tjetrën.
“Ata ishin të predestinuar për skllavëri, por Shqipëria nuk u ndërtua në një ditë”, shton Zhupa, ndërsa flet për fotot e ekspozitës “Roads untraveled”.
Imazhet sa artistike po aq edhe dokumentare, në dy prej tyre përjetësojnë pothuaj një pikturë. Ndonëse janë punonjës a mbase vullnetarë (me detyrim) të punëve publike, në një moment pushimi, për një çast, ngjan se janë modele që pozojnë para piktorëve. Dy gra, njëra e mbështetur në një gurë e tjetra e ulur buzë të njëjtit lumë, me imazhe që fiksojnë natyrën në bardhezi, që shtrihen deri tutje në horizont na sjellin të ndalur në kohë, një moment paqeje në mes të “luftës”. Shqipëria e fotografive ruan dritëhijet dhe peshën e epokës, bardhezi, gri dhe në rrekjen për të ecur përpara në një të ardhme që vonon./atsh/Kultplus.com