11 Prill, 2021 - 5:25 pm
Drama britanike “Rocks” dhe filmi amerikan “Nomadland” udhëheqin garën në Akademinë Britanike të Çmimeve në Film “BAFTA” e cila do të zhvillohet të dielën, në një ceremoni më ndryshe për shkak të pandemisë me koronavirus.
Hugh Grant, Tom Hiddleston dhe Priyanka Chopra Jonas, janë në mesin e prezantuesve të cilët do të shpallin fituesit nga skena e Royal Albert Hall në Londër. Fituesit e çmimeve do t’i marrin ato duke mbajtur distancën ndërkohë që nuk do të ketë fare audiencë e cila do t’i duartroket triumfuesit.
Princi William ishte i caktuar për të mbajtur një fjalim në rolin e tij si president i Akademisë britanike të filmit mirëpo kjo është anuluar për shkak të vdekjes së gjyshit të tij, Princit Philip, të premten e kaluar.
Filmi “Nomadlan”, një dramë nga Chloe Zhao, flet për një grua të moshës së mesme e cila udhëton nëpër Amerikën Perëndimore ndërkohë që drama “Rocks” e Sarah Gavron, flet për një vajzë adoleshente me ngjyrë në Londër. Këta janë dy filmat që prijnë me nominime, secili me nga shtatë sosh.
Akademia britanike e filmit ndryshoi anëtarësinë dhe rregullat e saj të votimit vitin e kaluar, në një përpjekje për të adresuar një mungesë të dukshme të diversitetit në nominime. Në vitin 2020, për të shtatin vit me radhë, asnjë grua nuk ishte e nominuar për regjisoren më të mirë ndërkohë që të gjitha 20 nominimet për kategoritë e performancave kryesore dhe dytësore ishin aktorë të bardhë.
Këtë vit, nominimet janë më diversive derisa katër nga gjashtë nominimet për regjisorin më të mirë, janë gra./ KultPlus.com