Roli i gruas në Luftën e Dytë Botërore, seri aktivitetesh në 80-vjetorin e Çlirimit të Vlorës

11 Tetor, 2024 - 11:59 pm

Bashkia e Vlorës ka nisur aktivitetet në kuadër 80 -vjetorit të çlirimit të qytetit.

Ky 80 -vjetor, i cilësuar si vit jubilar për historinë e vendit, ka nisur me një sërë aktivitetesh në qytetin e Vlorës. Sipas kalendarit të publikuar nga Bashkia e Vlorës janë plotë 5 ditë me aktivitete të ndryshme, ndërsa Bashkia e qytetit ka publikuar edhe programin e aktiviteteve.

Aktiviteti që ka çelur siparin ishte ekspozita me tematikën, “Gruaja në luftë”. Një ekspozitë e mbajtur në ambientet e muzeut Historik ku përmes fotografive dhe fakteve historike paraqitet roli dhe ndihmesa që gratë dhanë në luftën e dytë botërore.

“Ky aktivitet është një ekspozitë retrospektive për të gjithë gratë që kanë dhënë jetën në Luftën e Dytë Botërore. Pjesë të formacioneve të ndryshme partizane, janë gjithsej 35 dëshmore dhe heroina që gjenden në kartelat në arkivin e fondit Arkivor”, u shpreh Skënder Spahiu, Drejtor i muzeut.

Kryebashkiaku Ermal Dredha i ka bërë thirrje të rinjve, të njohin historinë e të ecim në gjurmët e të parëve, për një atdhe më të mirë.

“Çfarë kontributi kanë dhënë ato në tjera kushte përballë një pushtuesi. Janë ato gra që janë vetëflijuar, dhanë jetën e tyre për të qenë ata që jemi sot. Ndaj duhet të jemi shumë mirënjohës, ta njohim mirë historinë e vendit tonë dhe t’i japim vlerat që i takojnë në të gjithë këtë rrugëtim”, u shpreh Dredha.

Këtë të premte organizohet gjithashtu një koncert festiv me fëmijë të shkollave të qytetit dhe qendra kulturore e fëmijëve.

Ekspozita: “Gruaja në luftë” / KultPlus.com

Të ngjajshme