24 Shtator, 2019 - 4:00 pm
Korrespondentja e luftës, Marie Colvin, e njohur me fashën e zezë në njërin sy, ka vdekur në shkurt të vitit 2012 në Homs, duke raportuar për sulmet e regjimit sirian në enklavën e rrethuar të Baba Amr.
Gazetarja karizmatike e “Sunday Times”, fituesja e disa çmimeve, ishte e njohur për guximin e saj gjatë gjithë jetës, dhe legjenda e saj u rrit më shumë pas vdekjes së saj, me biografi dhe filma të ndryshëm që u realizuan për të shënuar raportimin saj të guximshëm ashtu sikurse qe raportimi i saj. Një prej kujtimeve për të është edhe dokumentari “Under the Wire”, që është shfaqur në Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin. Aty fotoreporteri Paul Conroy, i cili u plagos në sulmin që ia mori jetën Colvinit dhe mrekullisht mbijetoi, tregon historinë e misionit të tij të fundit me të, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë si Sean Ryan, atëherë redaktor në “Sunday Times”. Ryan ishte ftuar edhe si folës në Festival.
“Ajo e kishte këtë zell për të dëshmuar mizoritë në luftë”, ka thënë Sean Ryan për DW. “Ajo besonte se nëse ajo do ta bënte atë, do të vepronte si një parandalues dhe se njerëzit e këqij që bëjnë këto gjëra do të kishin më pak të ngjarë t’i bënin ato”.
Një tjetër film ka në fokus po ashtu gazetarinë.
Duke shpresuar që do të marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, Waad al-Kateab filloi xhirimet e protestave në Alepo kohë më parë si një qytetare-gazetare. Zbuloi historinë e saj në “For Sama”, nën regjinë e realizuar bashkë me Edward Watts. Ky qe filmi me të cilin u hap Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin. Dokumentari fillon me kaosin e një sulmi, me njerëz që vrapojnë në kërkim të shpëtimit në ndonjë bodrum. Një grua, e quajtur Sama, nëna e një foshnje të porsalindur, rrëmben kamerën e saj për të filmuar ngjarjet, duke u kërkuar njerëzve të tjerë që të kujdesen për foshnjën ndërsa vrapon drejt shpërthimit.
Kur sulmi rezulton të jetë më shkatërrues nga sa qe pritej, kameramanja shqetësohet për atë që po i ndodh fëmijës së saj. Reagimi fillestar i shikuesit është ajo se përse një fëmijë është midis krejt kësaj. Në filmin e saj kushtuar Samas, Waad al-Kateab i shpjegon fëmijës së saj – dhe shikuesve – pse vendosi në mënyrë aktive ta mbante atë në atë kontekst të rrezikshëm.
Duke u rikthyer në fillim të kryengritjes në Alepo, ne zbulojmë shpresat revolucionare të grave të reja dhe studentëve të tjerë të universitetit. Ata besuan se protestat e tyre paqësore do të shpëtonin vendin nga regjimi diktatorial i Asadit.
Ajo pastaj ra në dashuri me një bashkaktivist, Hamza al-Kateab. U martuan dhe Waad mbeti shtatzënë menjëherë pas kësaj.
Aktivistët menduan se kishte ende shpresë për një Siri të re në atë kohë, por konflikti vazhdoi të përshkallëzohej brutalisht. Hamza dhe Waad ishin asokohe figura qendrore në lëvizje. Si mjek, ai kishte improvizuar një spital në bastionin e rebelëve, ndërsa videot e saj po shikoheshin me miliona herë në krejt botën. Mbajtja e Samës afër vetës forcoi bindjet e tyre.
Nga demonstratat shpresëdhënëse të sirianëve gjatë “Pranverës Arabe” deri te bombardimet brutale të regjimit duke vrarë fëmijë dhe civilë të pafajshëm, shtrirja kohore i ngjarjeve në “For Sama” gërshetohen me ato në “Under the Wire”. Me gjithë përvojën e tij disavjeçare në zonat e konfliktit, fotografi Paul Convoy thekson në “Under the Wire” se ajo që ai kishte parë në Siri nuk mund të përshkruhet as si luftë: “Është një masakër”. Imazhet e dhunshme në “For Sama” konfirmojnë këtë përshtypje.
Por përtej ngjashmërisë në fakte, të dy filmat jo vetëm që bien ndesh me stilin e tyre, por ato reflektojnë edhe evolucionin e raportimit të luftës. Ndërsa “Under the Wire” përqendrohet në korrespodentë të njohur të huaj, idealizmi i të cilëve është i lidhur me ambiciet personale, “For Sama” tregon historinë e një aktivisti që gjen kuptim në një makth që rritet duke u bërë një gazetare-qytetare.
“For Sama” është qartë një rezultat i një procesi të gjatë redaktimi për të kthyer materialin e dorës së parë në një histori të fuqishme njerëzore. Kjo e dallon filmin nga përmbajtja që japin gazetarët qytetarë e që realizohen shpejt për të raportuar nga një zonë e izoluar lufte. Siç vë në dukje Sean Ryan, problemi me këtë material është se është e vështirë për redaktorët ta vërtetojnë atë pa e ditur se sa të besueshëm janë burimet e tyre.
Ish-redaktori lajmeve ndërkombëtare e sheh një tjetër vështirësi në faktin se gazetarët-qytetarë nuk mund të kenë të njëjtin ndikimi global si emrat e shquar të gazetarisë, e që ishte një nga pikat e forta të Marie Colvinit.
Veçanërisht në Timorin Lindor në 1999, Colvin refuzoi të linte një kompleks të rrethuar, ku ishin bllokuar rreth 1500 gra dhe fëmijë. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë që raportimi i saj ndërkombëtar ishte i dobishëm për të shpëtuar këta njerëz: “Që nga ai moment, ajo ndjeu se puna e saj jo vetëm që mund të dëshmonte për mizori, por gjithashtu mund të shpëtonte jetë”, thotë Ryan.
Aq sa raportimi i saj në Timorin Lindor mund të citohet si një burim fuqizimi dhe frymëzimi për gazetarët, vdekja e Marie Colvin (e cila raportoi edhe nga Kosova më 1999 v.j.) dhe e gazetarëve të tjerë gjithashtu ka frikësuar mediat në planet e tyre për të dërguar korrespondentë në zonat e konflikteve. Kjo e lë hapësirën të hapur për gazetarët e pavarur, të cilët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve edhe më shumë pasi që nuk e kanë mbrojtjen e mediave të njohura.
Francesca Mannocchi, bashkëregjisore e “Isis, tomorrow. The lost souls of Mosul”, ishte gjithashtu e pranishme në Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut për të diskutuar për punën e saj. Në një panel mbi punën në zonat e konfliktit, ajo ofroi pikëpamje nga perspektiva e saj për raportimin nga lufta.
Dokumentari i saj eksploron situatën në Mosul pas humbjes së organizatës terroriste “Shteti Islamik”. Përmes intervistave me fëmijë që ishin rekrutuar nga ISIS-i ose të tjerë që humbën familjet e tyre në konflikt, kuptohet se farat e terrorit janë ende të pranishme në mesin e atyre fëmijëve dhe të vejave. “ISIS është thjesht një logo”, thotë Mannocch. “Mund të ndryshojë emrat, por ideologjia do të mbetet.”
Mannocchi thotë se perspektiva e saj mbi raportimet nga frontet ka ndryshuar përmes projekteve të tilla si ky dokumentar: “Një nga gabimet tona gjersa bëjmë gazetari është që ne i fikim kamerat pasi që konflikti të ketë mbaruar”, ka thënë ajo për DW-në.
Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin vazhdon deri më 25 shtator/ Deutsche Welle / KultPlus.com