26 Janar, 2020 - 1:58 pm
Josilda Ndreaj është njëra nga dy studentet shqiptare e cila studion në Wuhan, në epiqendrën e ‘Coronavirusit’ vdekjeprurës.
Ajo gjatë një bisede në rrjetet sociale, tregoi se çdo të thotë të gjendesh në një situatë dramatike ai ajo që është duke kaluar Kina.
“Unë jam mirë faleminderit! Jam studente në Wuhan por për momentin kam marrë një banesë me qira në një provincë tjetër në Xian. Universiteti na ka njoftuar të qëndrojmë jashtë Wuhan të paktën deri në datë 15 shkurt”, tha Ndreaj.
Josilda që studion master në Pronësi Intelektuale, thotë se për të ky është viti i saj i parë në Wuhan dhe nuk e fsheh frikën për atë që po shikon dhe përjeton atje.
“Sigurisht që kam pasiguri dhe po përpiqem të përdor çdo masë të mundshme parandaluese, gjithashtu jam dhe vetëm në një provincë tjetër ku nuk e di për sa kohë do të qëndroj. Gjithçka ndodhi shumë papritur dhe po përpiqem të ruaj qetësinë dhe të vëzhgoj situatën”, tha ajo.
Ajo shtoi se aktualisht një studente tjetër shqiptare ndodhet në një kampus universitar në Wuhan. /tch/ KultPlus.com