24 Qershor, 2024 - 4:14 pm
Rreth 40 ekspertë dhe profesionistë të arkitekturës nga e gjithë bota do të mblidhen në Prishtinë, prej 1 deri më 4 korrik, në kuadër të seminarit më të madh në mbrojtjen e arkitekturës moderne.
Në kuadër të këtij seminari do të bëhet prezantimi mbi 10 plane të konservimit dhe menaxhimit të sajteve moderne, si dhe për të hulumtuar strategji të reja të mbrojtjes së arkitekturës moderne.
Disa nga projektet e prezantuara në seminar janë: Plani i Konservimit dhe Menaxhimit të Operës së Sydney-it; Plani i Konservimit dhe Menaxhimit të Eames House në Californi; Monumenti Buzladzha në Bullgari, e Sidi Harazemi në Fez të Marokut.
Ligjëruesit kryesor në seminar do jenë: Sheridan Burke presidente e 20th Century Heritage në ICOMOS; Jorg Haspel njëri nga themeluesit e DoCoMoMo Gjermani; Aziza Chaouni, TED fellow dhe profesoreshë e arkitekturës nga UofT Daniels; Cesar Bargues Ballester nga Instituti i Konservimit të Getty-t, etj. Ligjëratat do të mbahen në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si dhe në Kino Armata nga 1 deri më 4 Korrik.
Ky seminar është i mbështetur nga Getty Foundation si pjesë e inciativës së tyre për mbrojtjen e arkitekturës moderne “Keeping It Modern”. / KultPlus.com