23 Gusht, 2019 - 9:58 pm
Hapet ekspozita e cila prezanton rreth 60 lloje të zogjve në Parkun e Gërmisë
“Shpendët e Parkut Gërmia” mban emrin ekspozita e cila do të hapet më 30 gusht.
Pas plotë shtatë muajsh rrugëtimi, fotografi i botës së egër, Albert Krasniqi dhe “Gërmia Park Wildlife”, do të prezantojnë fotografitë e rreth 60 lloje të zogjve të cilët jetojnë në Parkun e Gërmisë.
Data e organizimit të ekspozitës do të jetë vikendi i këtij muaji, konkretisht mes datave 30 gusht dhe 1 shtator.
Sipas njoftimit të tyre përmes kësaj ekspozite do të informohen qytetarët për numrin dhe llojet e shpezëve gjithashtu do të shërbej për vetëdijesimin e tyre për rëndësinë e botës së egër.
“Pas 7 muaj punë kemi arritur t’i identifikojmë rreth 60 lloje të zogjve në Parkun e Gërmisë (të dokumentuara me fotografi). Ky numër është mbresëlënës dhe mjaft me rëndësi për biodiversitetin e Parkut të Gërmisë, për të cilin nuk kemi pasur njohuri më herët. Ne besojmë që numri i madh i zogjve dhe puna e bërë nga ne dhe më pas e finalizuar me një ekspozitë do të ketë një efekt shumë me rëndësi për komunitetin dhe shoqërinë tonë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook./koha.net/ KultPlus.com