10 Prill, 2021 - 9:41 am
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se në Kosovë, si shkak i pandemisë, rreth 60 mijë persona kanë humbur vendin e punës. Ndërsa, kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se masat e reja të ndërmarra nga Qeveria do të ndikojnë që të ketë humbje deri në 70 milionë euro.
Madje, ai thotë se duhet një analizë e thellë sa i përket mbylljes sepse duhet ditur se si të mbështetet sektori privat.
“Vetë fakti që kemi rreth 60 mijë punëtorë të papunë, dhe vetë fakti që do të ketë rënie të qarkullimit qoftë në gastronomi qoftë në hotele besoj që janë indikatorët kyç që dhënë hapësirë për shqetësim”, tha Gërxhaliu për Ekonomia Online, transmeton KultPlus.
“Në këtë drejtim besoj që duhet një analizë dhe kur të kemi mbyllje duhet të dimë se si të mbështetet sektori privat se vetëm mbyllja nuk është zgjidhje. Në Kosovë nuk kemi problem vetëm me të infektuar, problem është kush i monitoron të infektuarit, si përcillen ata të cilët e bartin infektimit te të tjerët. Prandaj duhet një data bazë e mirëfilltë duhet një monitorim”.
Përderisa kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se masat e reja të ndërmarra nga Qeveria do të ndikojnë që të ketë humbje deri në 70 milionë euro.
“Nëse marrim statistikat e vitit të kaluar ne kemi humbje mbi 1 miliard euro. Nëse flasim për mbylljen që është bërë diku 70 milionë do të kemi humbje për mbyllje dy javore, për të cilat Qeveria e Kosovës ka marrë vendim. Edhe për punëtorët ka qenë e paraparë që të përfitojnë, por ky përfitim nuk ka shkuar në llogarinë e punëtorëve. Krejt kjo po bëhet me dëme në të gjitha fushat e punëtorëve të sektorit privat dhe faturën përfundimtarë po e paguajmë ne”, tha Azemi.
“Qeveria e Kosovës e ka ndarë pakon emergjente, pakon për rimëkëmbje ekonomike, por megjithatë te punëtorët e sektorëve privat shumë pak ka qenë e ndikueshme, sepse mjetet nuk kanë shkuar në fondin e tyre. Edhe tani mendojmë që para se të bëhej mbyllja nga Qeveria është dashtë që paraprakisht të stimulohen punëtorët dhe kompanitë dhe pastaj të merret vendim. Këto humbje do të na kushtojmë ne dhe punëtorëve”.
Sipas vendimit të Qeverisë nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Po ashtu, do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë. / KultPlus.com