Rrezikon të shembet, ndahen fonde për Urën e Matit, monument kulture i kategorisë së parë

7 Prill, 2023 - 9:30 pm

Qeveria ka miratuar një fond për ndërhyrje emergjente në “Urën e Matit”, monument kulture i kategorisë së parë.

Në mbledhjen e sotme u vendos një fond mbi 57 milionë lekësh, që do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.

Do të jetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ura e Matit është një ndër më të bukurat në Ballkan, e cila rrezikon të shembet.

Ura e Matit e inauguruar më 1927 është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën.

VENDIMI

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MINISTRISË SË KULTURËS, PËR VITIN 2023, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TEKNIK TË NDËRHYRJES EMERGJENTE NË OBJEKTIN, MONUMENT KULTURE, KATEGORIA E I-RË “URA E MATIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e vitit 2023, në programin “Trashëgimia kulturore dhe muzetë”, t’i shtohet fondi prej 57 515 644 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e katër) lekësh në shpenzime kapitale, për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente në objektin, Monument Kulture, kategoria e I-rë “Ura e Matit”.

Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./rtsh.al/KultPlus.com

Të ngjajshme