24 Nëntor, 2020 - 3:19 pm
Pas rastit të 17-vjeçares që dyshohet se u dhunua nga babai i saj, Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat.
E për këtë ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, ku në një komunikatë për media duke kërkuar masa mbrojtëse për 17-vjeçaren.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat. Arsyeja kryesore për lirimin e tij, edhe pse kishte prova bindëse, përfshirë këtu edhe deklaratën e 17 vjeçares, ishte se prokuroria kishte dështuar të ofronte dëshmi të mjaftueshme për ta bindur trupin gjykues për fajësinë e tij. Kjo ka bërë prokurorinë ta përdorë të drejtën e ankimimit duke e dërguar rastin në Gjykatën e Apelit”, thuhet në reagimin e tyre.
“Trajtimi i incestit vazhdon të mbetet tabu, si nga shoqëria ashtu edhe nga institucionet. Sa seriozisht trajtohet incesti na e dëshmon më së miri edhe ky rast.
Madje, vite më parë nëna e viktimës kishte raportuar dhunën që po e përjetonte nga bashkëshorti i saj, i dyshuar për dhunimin seksual të vajzës. I njëjti, vite më parë ia kishte ndaluar të miturës shkollimin. Po ashtu, raportimet e nënës së viktimës për përjetimet e dhunës në familje, të drejtuara në stacionin policor, kishin hasur në vesh të shurdhër. Po të trajtoheshin sipas kornizës ligjore fillimisht këto raportime, do të parandalohej edhe përjetimi më i tmerrshëm i të miturës, përjetim ky që do të lerë pasoja gjatë në shëndetin mendor të saj. Për ta vështirësuar edhe më shumë situatën, pasi që u shpall i pafajshëm, i dyshuari u rikthye sërish të jetojë në shtëpinë e njejtë me viktimat e tij, gruan ndaj të cilës për vite me radhë po ushtronte dhunë në familje dhe vajza e cila ishte dhunuar seksualisht nga ai. Qendra për Punë Sociale, si organ përgjegjës për kujdesin e të miturve ishte distancuar nga çdo përgjegjësi duke u arsyetuar se nuk kishin çfarë tjetër të bënin”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave të Kosovës.
RrGK-ja ka kërkuar që babai i 17-vjeçares të mos jetojë në liri si dhe po presin nga prokuriria që të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën. RrGK-ja ka kërkuar që babai i 17-vjeçares të mos jetojë në liri si dhe po presin nga prokuroria që të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën.
“RrGK ngrit shqetësimin se të jetuarit në të njëjtin ambient me ushtruesin e dhunës, përveç që dëmton mirëqenien psikologjike të saj, mund të ndikojë edhe në frikësim dhe kërcënim për të raportuar sërish, tani që rasti është në rigjykim. I bëjmë thirrje Qendrës për Punë Sociale ta trajtojë rastin me seriozitet, duke i kërkuar që të ketë edhe bashkëpunim me strehimoret për të mitur në mënyrë që të miturës t’i ofrohet strehim në rast se ajo ka nevojë, si edhe ndihmë psikologjike. Ne i bëjmë thirrje edhe Policisë së Kosovës, që të përgjigjet konform obligimeve ligjore në rastet e raportimeve të dhunës. Presim që edhe Mbrojtësit e Viktimave ta asistojnë prokurorinë që të sjellin drejtësinë.
Incesti sado që është temë tabu, ndodh në çdo shoqëri, përfshirë edhe shoqërinë tonë, andaj ne kërkojmë drejtësi dhe trajtim të duhur për viktimat e incestit.
Gjithashtu ju njoftojmë se RrGK do ta monitorojë trajtimin e këtij rasti si dhe do të jemi në gatishmëri për të ndihmuar që drejtësia të triumfojë”, thuhet në reagimin e tyre.
Të premten që lamë pas, në emisionin “Udhëve” të RTK-së, u bë publik rasti i së miturës 17 vjeçare e cila ishte përdhunuar seksualisht nga babai i saj, në rajonin e Mitrovicës. /Express/ KultPlus.com