10 Nëntor, 2020 - 2:42 pm
Rrjeti i Grave të Kosovës nëpërmjet një reagimi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth pabarazitë gjinore që shfaqen përbrenda teksteve shkollore. Kjo organizatë kërkon nga Ministria e Arsimit përmirësimin e literaturës, shkruan KultPlus.
‘’Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi shpreh shqetësim për faktin që tekste shkollore që mirëmbajnë pabarazitë gjinore ende vazhdojnë të jenë në përdorim nga nxënësit’’, thuhet në reagimin e tyre.
Si model për këtë reagim është marrë libri i klasës së pestë ‘’Njeriu dhe Natyra’’, në të cilën në pjesën e detyrave të shtëpisë shtrohet pyetja “Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?’’. Përderisa raportimet në media për këtë fenomen kanë nisur tre vite më parë, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asgjë.
‘’RrGK kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që në konkursin e hapur së fundi për tekste shkollore të reja dhe materiale për të gjitha klasat, të përmirësojë tekstet si ky i lartcekuri dhe të sigurohet për integrimin e perspektivës gjinore’’, thekson Rrjeti i Grave të Kosovës.
Rast tjetër përmendet edhe fjalët e hasura si “Nëna kryen punët e shtëpisë”, e të cilat për RrGK-në nuk mbesin vetëm një lëshim.
‘’Nëse nuk veprohet menjëherë, një sistem edukativo-arsimor si ky vetëm se rritë pabarazitë dhe diskriminimin gjinor, i cili veçse është mjaft shqetësues dhe një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot si shoqëri, organizata e institucione’’, shtojnë tutje kjo organizatë.
Përmirësimi i kurrikulës dhe teksteve shkollore nga perspektiva gjinore është pjesë e programit të RrGK-së./KultPlus.com