Rritet çmimi i kafes në të gjithë botën

15 Mars, 2025 - 9:30 am

Rritet çmimi i kafes në nivel global. Në vitin 2024 ka pësuar rritje prej 40% në krahasim me mesataren e vitit 2023. Shkaku kryesor janë kushtet meteorlogjike dhe problematikat e lidhura me to që kanë goditur vendet prodhuese.

Sipas FAO, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ushqimin dhe bujqësinë, pritet që rritja të vijojë edhe gjatë vitit 2025. Në nivel botëror industria e kafes gjeneron mbi 200 mld $ në vit dhe SHBA e BE janë importuesit më të mëdhenj.

Sipas raportit, në Dhjetor të 2024, kafja arabike që është edhe kualiteti më i mirë e më i preferuar, shënoi një rritje prej 58%, ndërkohë që kafeja që përdoret për kafet e makinetave dhe përzierjet, pësoi rritje prej 70%.

Për shkak të ndryshimeve të klimës dhe problemeve me motin, në Vietnam klima e thatë e tejzgjatur jashtë normales solli një reduktim të ekporteve me rreth 20% për të dytin vit rradhazi. Edhe Indonezia shënoi ulje të tregtisë së kafes si vend prodhues, me rreth 17% si pasojë e shirave të tepërt të muajve Prill-Maj, ndërsa Brazili nga rritje që regjistronte çdo vit, në 2024 shënoi rënie të prodhimit me 1.6%.

Aktualisht, Brazili dhe Vietnami mbulojnë 50% të prodhimit botëror të kafes, ndërsa fermerët e vegjël përbëjnë 80% të prodhimit global./ KultPlus.com

Të ngjajshme