Rritet niveli i manganit në Badoc, IKSHP rekomandon që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije

4 Tetor, 2024 - 11:29 am

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se ditën e djeshme ekipet e tyre kanë marrë 16 mostra nga një zonë që furunizohet me ujë nga Liqeni i Badocit, pas njoftimit për ngritje të vlerave të manganit, ku prej tyre 15 kanë rezultuar me tejkalim të standardit të lejuar manganit.

Nga IKSHP kanë rekomanduar që për këtë periudhë uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret vetëm për higjienë personale dhe ambientale.

Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.

“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftim.

Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.

Bazuar në këto rezultate, IKSHP ka dalë me disa rekomandime për Ujësjellësin “Prishtina”:

Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;

Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;

Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;

Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;

Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;

Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

“IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me  vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në fund të njoftimit.

Me një situatë të tillë, Kosova është përballur edhe vitin e kaluar.

Paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve. IKSHP ka thene se kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.

Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç./ KultPlus.com

Të ngjajshme