28 Mars, 2024 - 12:59 pm
Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën është duke u rritur dita ditës. Por, infrastruktura rrugore vazhdon të mbetet problem ndër vite. E, bazuar në të dhënat nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, bëhet e ditur se Kosovën më së shumti e vizitojnë turistët nga Azia, Kina por edhe nga shtetet e rajonit e ku prin Shqipëria. Ndërkaq, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz vazhdon të mbetet destinacioni kryesor i vizitorëve, ku brenda vitit e vizitojnë mbi një milion vizitorë.
Rugova, me turizmin malor ofron një eksperiencë të jashtëzakonshme për aventurierët dhe të interesuarit për natyrën. Kështu shprehet Flamur Rexhbogaj, kryetar i Bashkësisë territoriale-Rugova 2. Ai thotë për Radio Kosovën se në projektin “Majat e Ballkanit”, Rugova mori vendin e parë në mes 146 shteteve të huaja. Kjo, sipas tij, ka bërë që të rritet numri i turistëve të huaj në Rugovë.
“Prej shteteve që kanë ardhur vizitorët më së shumti kanë qenë prej shteteve arabe e pastaj Shqipëria dhe pak nga Italia”, thotë Rexhbogaj.
E, Agron Nikqi, kryetar i Bashkësisë Territoriale-Rugova 1, thotë se akomodimi i turistëve në Rugovë, ka arritur një standard dhe tani ka vende të mjaftueshme për akomodim. Por, ai thotë se infrastruktura rrugore mbetet problem.
“Sipas statistikave, ne kemi kapacitete deri në 400 shtretër për turistët e huaj. Në vitin 2023, për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore, shumë turistë i kanë anuluar vizitat e tyre në Rugovë”, shton Nikqi.
Në pikat e larta deri mbi 2000 metra mbi nivelin e detit, malet ofrojnë pamje të mahnitshme, ajër të pastër dhe mundësi për aktivitete të shumta si shëtitje, skijim dhe stacione të tjera verore dhe dimërore, shprehet Haxhi Nikqi.
“Për kompletimin e infrastrukturës së turizmit, ne filluam montimin e një ski-lifti dhe dy motorë ratrak, ku mund t`i bartim deri në 10 persona, në lartësi deri 2 mijë metra”.
Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën, është rritur nga viti në vit. Luan Bajramaj, nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, thotë se vendi ynë ka vende atraktive siç janë Bjeshkët e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna si dhe ujëvarat e Drinit të Bardhë dhe ajo e Mirushës e të tjera. Por, edhe ky thotë se tij infrastruktura mbetet problemi kryesor.
“Për infrastrukturën me të vërtetë është për të ardhur keq. Po nisem prej bjeshkëve të Rugovës, ku edhe sivjet, sikurse vitin e kaluar, rruga është e tmerrshme. Nuk i ofron as kushtet minimale për makina të vogla e lëre më për autobusë apo makina të tjera”, thekson Bajramaj.
Ndërkaq, për sa i përket akomodimit, Bajramaj thotë se Kosova ka 500 hotele, bujtina dhe hotele, ku brenda natës mund të akomodohem 11 mijë persona.
“11 mijë vizitorë mund t’i akomodojmë brenda natës, por këto janë kapacitete të vogla. Paramendoni një garë që mbahet në Kosovë, problem kryesor e kemi numrin e vogël të hoteleve”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në janar të këtij viti, kishte më shumë vizitorë në hotele se sa një vit më parë. Në janar të vitit 2024, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj në hotele ishte 77 mijë e 295 vizitorë, prej tyre 42.1% ishin vendorë dhe 57.8% ishin të huaj. / KultPlus.com