Rritet numri i viktimave në Spanjë, qeveria shpall 3 ditë zie

30 Tetor, 2024 - 9:03 pm

Ka shkuar në 72 numri i viktimave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve. Mediat vendase bëjnë të ditur se disa persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë në të gjithë Spanjën jugore dhe lindore.

Ekipet e shpëtimit janë penguar nga linjat e rrëzuara të energjisë që kanë ndërprerë energjinë elektrike, si dhe rrjetet telefonike dhe rrugët e përmbytura që mbeten të pakalueshme.

Qeveria spanjolle ka shpallur tre ditë zie, duke filluar nga nesër, u tha gazetarëve Ángel Victor Torres, ministri përgjegjës për politikën territoriale.

Agjencia e motit paralajmëron për reshje të forta shiu në verilindje të Spanjës dhe në pjesë të Spanjës jugore.

Kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, u shpreh i gatshëm t’i ofrojë Spanjës çfarëdo ndihme që mund të jetë e nevojshme.

“Qeveria portugeze shpreh ngushëllimet e saj më të forta për numrin e madh të viktimave të përmbytjeve në Spanjë, tregon solidaritet me të gjithë popullin spanjoll dhe qeverinë dhe vihet në dispozicion për të gjithë ndihmën e nevojshme”, tha ai në mediat sociale.

Përmbytjet e sotme raportohet se kanë qenë më të këqijat që kanë prekur Spanjën që nga viti 1996. Në atë kohë, 87 njerëz vdiqën kur shiu i rrëmbyeshëm goditi një zonë në një qytet në malet e Pirenejve./ KultPlus.com

Të ngjajshme