Rritet numri i vizitorëve në hotele në janar, kryesojnë italianët

17 Mars, 2025 - 11:51 pm

Strukturat akomoduese pritën më shumë vizitorë të huaj gjatë muajit janar të këtij viti.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin për strukturat akomoduese, ku bëhet e ditur se numri i vizitorëve shënoi rritje me 26,9 %, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 41,0 % dhe rezidentë 12,1 %.

Referuar raportit, vizitorët qëndruan më gjatë, teksa bëhet e ditur se netëqëndrimet gjithsej u rritën me 35,8 %, ku ato jo-rezidentë u rritën me 49,1 %, ndërsa ato nga rezidentët me 19,0 %.

Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat jo-bregdetare me 46,5 % dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme me 38,4 %.

Publikimi vlerëson se italianët kryesojnë sa i takon netëqëndrimeve në strukturat akomoduese, duke lënë pas edhe Kosovën.

“Shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (21%), Kosova (18%), dhe Gjermania (6%). Mbretëria e bashkuar dhe Franca kontribuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve”, bën të ditur INSTAT-i. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme