24 Maj, 2022 - 11:49 am
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka lansuar fushatën, përmes së cilës kërkon heqjen e taksave nga produktet menstruale.
Aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.
“Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm”, thuhet në thirrjen e RrGK-së.
Përmes kësaj fushate, RrGK synon të informojë qytetarët dhe institucionet për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës- duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Fushata, ndër të tjerash, sjell në debatin publik faktin se menaxhimi i higjienës menstruale është çështje e të drejtave themelore të njeriut, e duke pasur këtë ndër mend, produktet menstruale nuk mund të vazhdojnë të tatohen si të ishin produkte luksi.
“Për të avokuar për këtë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Women (EKW), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë apo të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë”, thuhet në njoftim.
“Ndër rekomandimet kryesore është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë ligjin numër 05/L-037 për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi”, thuhet më tej në thirrjen e RrGK-së./ KultPlus.com