24 Prill, 2024 - 12:44 pm
Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur shqetësim të madh në lidhje me dënimin e dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj gjashtë të akuzuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Nga RrGK thonë se gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit dhe këtë e kanë quajtur si vendim skandaloz dhe të papranueshëm.
“Vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 227, paragrafi 7, është e dënueshme me burgim së paku 10 vjet. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit, gjë që e vlerësojmë si skandaloze dhe të papranueshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një rast i tillë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
RrGK ka shtuar se dënimet minimale shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 62 vite burgim 6 të akuzuarit e përfshirë në rastin e dhunimit të viktimës 11-vjeçare. Njëri nga të akuzuarit është dënuar me 12 vjet burgim, ndërkaq tre pesë të akuzuarit e tjerë janë dënuar me nga 10 vjet burg. Vendimi është marrë nga Departamenti për të Mitur.
“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç. I akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.