6 Korrik, 2019 - 11:00 pm
Me rreth 1500 vizitorë në ditë Syri i Kaltër monumenti natyror më i rëndësishëm në aksin nacional Gjirokastër – Sarandë ka një rënie të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë.
Burimi në formë ovale i rrethuar nga një kurorë e dendur bimësie dhe pemë qindravjeçare rrapi është më i madhi mes 18 burimeve që burojnë prej rrëzës së malit të Gjerë.
Suada Basho menaxhere e zyrës së informacionit turistik të zonës së mbrojtur thotë se vizitoret kanë nevojë për aktivitete në natyrë. Megjithëse ngritja e çadrave është i lejuar, mungojnë të gjitha shërbimet e tjera që nga tualetet, dushet apo ushqimi.
Svenja dhe i dashuri i saj nga Polonia janë duke ju shkruar kartolina miqve në një kënd brenda parkut.Ata duken të kënaqur me vizitën dhe me Shqipërinë por tërheqin vëmendjen për shërbimet që mungojnë.
“Jemi duke i shkruar familjes dhe miqve.Është shumë bukur. E gjithë vizita në Shqipëri ishte një zbulim i këndshëm, por vende si ky mund të plotësohen me shërbime. Rruga ishte gjithë pluhur dhe këtu vetëm mund të shëtisësh për pak minuta. Ka vetëm për të parë, nuk ka shumë për të bërë.”, shprehen ata.
Të njëjtin shqetësim për mungesën e shërbimeve dhe rrugën e shkatërruar ngre edhe një familje shqiptarësh që viziton parkun natyror për herë të parë.
Megjithë bukurinë e rrallë natyrore që ofron parku, përballja e parë me të është problematike. Era e keqe dhe ndotja e akumuluar prej vitesh në liqen ne hyrje të parkut është duke u kryesuar listën e ankesave të vizitorëve.
Ndryshimet që erdhën pas riorganizimit të administrimit dhe vendosjen e parkut nën varësinë e Agjensisë së Zonave të Mbrojtura diktuan rregullore të re për parkun përfshirë këtu edhe ndalimin e zhytjeve në burim çka duket gati e pamundur megjithë sinjalistikën që e ndalon notin dhe patrullimin disa herë në ditë të specialistëve.
Duket se gjysma e vizitorëve vijnë në Syrin e Kaltër për tu zhytur në ujërat e burimeve të tij.