9 Tetor, 2020 - 10:12 am
Rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë shumë shpejt do të kenë emrin e dy akademikëve të ndjerë, Alfred Uçit dhe Kristaq Priftit, shkruan KultPlus.
Kjo vjen si rezultat i veprimtarisë së tyre të bujshme në fushën e shkencës dhe historisë. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave të Shqipërisë nëpërmjet llogarisë në Facebook.
“Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, u vendos për emërtimet e disa rrugëve të kryeqytetit, dy nga të cilat do të emërtohen me emrat e akademikëve të nderuar të Shqipërisë, përkatësisht të estetit dhe filozofit Alfred Uçi dhe të historianit Kristaq Prifti”, njofton ASHSH.
Alfred Uçi ka studiuar në Moskë dhe ka qenë profesor i filozofisë dhe estetikës në Universitetin e Tiranës. Ka marrë tri herë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë si dhe titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” në vitin 2016. Nga ai kanë mbetur pas shumë vepra.
Kristaq Prifti ka qenë historian, akademik, turkolog dhe profesor për disa vite me radhë në Universitetin e Tiranës, në të cilën më pas u gradua edhe si zëvendës dekan në katedrën e Historisë. Ka punuar dhe ka qenë drejtor në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave dhe është autor i veprave të ndryshme. /KultPlus.com