31 Dhjetor, 2020 - 8:00 pm
Suada Qorraj
I lindur në Pejë në verën e vitit 1964, Mithat Haxhiislami më i vogli fëmijë i familjes, që të tjerët e quanin edhe Miki, arriti që përgjatë jetës së tij të udhëtoj në shumë vende, e të bëhet edhe sipërmarrës në Japoni.
Në një intervistë për KultPlus Haxhiislami ka rrëfyer rrugëtimin e tij, që nga 1989 e deri më sot, arsyes së migrimit jashtë atdheut, martesës së tij, por edhe për sukseset të cilat sot, më shumë se kurrë janë bërë pjesë e pandashme e jetës së tij.
KultPlus: Ju jetoni tash e 18 vite në Japoni, për gjithë këto vite keni mësuar e madje edhe jetuar së bashku me këtë kulturë. A mund të na tregoni disa nga specifikat e kësaj kulture që ty të kanë bërë përshtypje që herën e parë kur keni shkuar në Japoni?
Micky Haxhiislami: Saktësisht, më 19 janar 2021 bëhen plot 18 vite që nga shpërngulja ime me familje nga Londra për në kryeqytetin japonez, Tokion. Fal 14 viteve të kaluara në Londër më parë, si një qytet tjetër i madh metropolitan, dhe fal suksesit tim profesional aty, nuk e kam pasur fare vështirë të kyçem shpejt në jetën japoneze, edhe pse prap se prap, ky shtet është i veçantë dhe i vetmi si i tillë në këtë planet.
Specifikat kryesore të kësaj kulture që më kanë lënë mua shumë përshtypje janë: respekti ndaj njëri tjetrin, sidomos ndaj seniorëve; respekti ndaj punëdhënësit dhe kolegëve; vlerësimi i kohës maksimalisht; shërbimet e nivelit më të lartë në botë; cilësia e çfarëdo produkti qe e blen, dhe vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen e ambientit dhe pastërtisë të qyteteve/vendbanimeve të tyre.
KultPlus: Sa ka qenë e vështirë për ju që të familjarizoheni me Japoninë dhe kulturën e këtij vendi?
Micky Haxhiislami: Për mua nuk ka qenë vështirë aspak të adaptohem në këtë kulturë, pasi që vite më parë e kam vizituar rregullisht Tokion çdo vit, dhe jam familjarizuar mjaft mirë me jetën atje. Gjithashtu edhe personaliteti im, kujdesi i madh ndaj çdo detaji dhe vlerësimi i kohës maskimalisht, dy shprehi tipike kryesore japoneze, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë që ta përballoj lehtë kulturën e këtij vendi unik.
KultPlus: Por kush ishte Micky Haxhiislami para se të shkonte në Japoni? Cilat janë rrugët profesionale e personale që ai ndoqi në atdheun e vet dhe cila është arsyeja që ju emigruat jashtë vendit?
Micky Haxhiislami: Mithat Haxhiislami, i quajtur MIKI qysh nga fëmijëria edhe i lindur në Pejë më 7 qershor 1964. Fëmiu më i vogël nga 5 fëmijët e çiftit bashkëshortor Islam Haxhiislami dhe Nanije (Lleshi) Haxhiislami (dytë të ndjerë).
Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje kurse të mesmen në Prishtinë -shkolla e mesme e mjekësisë -drejtimi ‘teknik i dhëmbëve’. Pas shërbimit të detyruar ushtarak u regjistrova pranë fakultetit te mjekësisë-dega e stomatologjisë.
Pas përkeqësimit të situatës në Kosovë – në vitin 1989 iu vërsula rrugës së kurbetit. Shtegu i kësaj rruge filloi me Kroaci, Zvicër, Gjermani, Holandë dhe pastaj në fund të po këtij viti ndalova në Londër, ku edhe jetova dhe punova deri në janar të vitit 2003. Aty kisha një periudhë të suksesshme dhe isha mjaft mirë i sistemuar me punë dhe banim.
Fillimisht si edhe shumica e shqiptarëve në migrim, pasi që kualifikimet e mia nuk pranoheshin, dhe në pamundësi të vazhdimit të studimeve shkaku i kostos jashtëzakonisht të lartë për shtetasit jugosllav, kam punuar në restorante dhe bare. Më pas, në vitin 1992 fillova ti mbikëqyri disa apartmane të cilat ishin në pronë të një familje të pasur angleze. Pas një viti, mora përsipër menaxhimin dhe lëshimin me qira të gjitha apartmaneve që ishin në pronë të kësaj familje dhe miqve të tyre. Ishin gjithsej 170 apartmane nën menaxhimin tim në fillim. Ky numër u ngrit përmbi 1700, në janar të vitit 2003, kur edhe u largova nga Londra. Në vitin 1995 ndodhi një gëzim i madh për mua, pasi që arrita ta rregulloj statusin tim britanez, e cila ma mundësoi menjëherë edhe blerjen e banesës së parë, pastaj edhe të shtëpisë në Wimbledon, pjesë e Londrës te cilën unë e adhuroj.
KultPlus: Ju jeni i martuar dhe keni krijuar familje me një grua japoneze. A mund të na rrëfeni pak më shumë rreth njohjes tuaj, takimit të parë e deri tek momenti që vendosët të jetonit së bashku?
Micky Haxhiislami: Gjatë vitit 1996 pata fat të njihem me një vajzë japoneze shumë të këndshme dhe inteligjente, e quajtur Kasumi, fëmijë/vajzë e hasretit, me të cilën u martova dhe s’bashku kemi një fëmijë të mrekullueshëm-çun, tani 22 vjeçar, me emrin Len, i cili tani është student i vitit të katërt pranë Keio University, universiteti më i vjetër privat në Japoni, i themeluar në vitin 1858, ku edhe studion Letërsinë Franceze.
Kasumi faktikisht ka qenë një ndër disa qindra qiraxhinjë japonez, që kanë jetuar në ndërtesat nën menaxhimin tim. Unë gjate viteve ‘90 isha specializuar ne gjetjen e klientëve japonez, pasi që ata janë thesar për çdo pronar: të pastër, qiranë e paguajnë gjithherë me kohë dhe janë kryesisht pa ankesa. Ndërsa Kasumi për më shumë, shpesh edhe më ndihmonte kur kisha klient tjerë nga Japonia të interesuar ne banesat tona, kjo ju shpjegonte atyre për cilësinë e banesave tona si dhe shërbimet dhe kujdesin që ne iu ofrojmë klientëve tanë. Kjo më pat bërë shumë përshtypje, dhe si falënderim unë e ftova Kasumin për darkë një natë, dhe ja kështu filloi edhe lidhja jonë në vitin 1996. Vitin tjetër do bëhet plot një çerek shekulli prej që ne jemi bashkë.
KultPlus: Ju tash e një kohë administroni grupin e Facebook-ut “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”, a mund të na tregoni se si ju lindi ideja që të krijoni një grup të tillë ku promovohet kultura dhe historia shqiptare?
Micky Haxhiislami: Faktikisht, ideja lindi nga miku im nga fëmijëria, Merkur Beqiri, në prill të vitit 2011, dhe që nga atëherë ne së bashku e administrojmë faqen në fjalë në Facebook, tani më mjaft të mirënjohur me emrin “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”, e cila merret kryesisht me postime të fotove të vjetra nga gjitha trojet shqiptare. Kjo faqe tani mbledhë më shumë se 35 mijë anëtarë dhe qindra mijëra përcjellës çdo ditë nga të gjitha anët e botës, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga shumë nacionalitete tjera që janë kureshtar të mësojnë për të kaluarën shumë të pasur të kombit tonë. Sot në këtë faqe kemi arrite ta krijojmë një arkivë të pasur me më shumë se 100,000 foto të vjetra nga gjitha trojet shqiptare. I lus lexuesit e juaj që të bëhen pjesë e këtij komuniteti të madh dhe s’bashku t’vazhdojmë të mësojmë për të kaluarën. Mos harroni se pa e njohur të kaluarën në mënyrë të mirëfilltë, ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë në mënyrë prosperitive dhe të qëndrueshme.
KultPlus: Sa e vështirë është për ju menaxhimi i këtij grupi, por njëkohësisht edhe sigurimi i informacioneve që botoni çdo ditë?
Micky Haxhiislami: Kjo tani vetëm se mu ka bë rutinë, dhe nuk ballafaqohem fare me vështirësi në menaxhimin e saj si dhe mbledhjen e fotove dhe informacioneve përkatëse, pasi që edhe ma ushqen shpirtin thellësisht, mirëpo sa i përket kohës, të cilën unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, mi mera çdo ditë s’paku 1 orë. Por këtë investim të kohës time unë e cilësoj si diçka tepër të vlefshme, pasi që kemi bë një lloj revolucioni në edukimin e gjitha gjeneratave në lidhje me historinë e të kaluarës tonë shumë të pasur përmes fotove të përcjella me informacione të shkurta, për te cilat ne shumë pak kemi ditur më parë.
KultPlus: Ju tashmë keni edhe një biznes tuajin në Japoni, na shpjegoni rrugëtimin tuaj se si erdhi deri tek hapja e këtij biznesi e deri në ditët e sotme?
Micky Haxhiislami: Siç e ceka edhe më lartë ne janar te vitit 2003 unë vendosa të marr një hap tjetër të madh sfidues në jetën time, iu vërsula lindjes së largët vendlindjes së zonjës sime Kasumit, kryeqytetit japonez, Tokios, ku menjëherë e themelova kompaninë time private, e cila merret kryesisht me shitjen e produkteve innovative japoneze, për kujdes shëndetësor. Më pas, në shkurt të vitit 2004 morra një ofertë nga drejtori gjeneral i kompanisë medicinale Japan Medical Co Ltd., si menaxher i departamentit të tyre ndërkombëtar. Kjo ma mundësoi që t’mësoj thellësisht mënyrën e punës në një kompani puro private japoneze.
KultPlus: Si quhet biznesi që ju tashmë e keni në Japoni?
Micky Haxhiislami: Më 1 shtator të vitit 2010, departamentin në fjalë e shndërrova në kompani të pavarur me emrin Intermedico Japan Co., Ltd., të cilën e udhëheqë edhe sot. Kjo kompani është e specializuar kryesisht në prodhimin dhe shitjen e produkteve medicinale, kujdes shëndetësor dhe atyre kozmetike. Qëllimi ynë kryesor është që të zbulojmë, prezantojmë dhe shesim me sukses ne tregun ndërkombëtar produktet e reja dhe unike japoneze të cilat e mbrojnë dhe rrisin cilësinë e jetës. Thjeshtë, mirremi me punën më të vështir, ndërtimin e kulturës së marrjes së barnave, nga ajo orale në atë transdermale.
Që nga viti 2004 kemi ndërtuar një partneritet të shkëlqyeshëm me fabrikat tona, të cilat ndodhen në Japoni, Kinë, Tajlandë dhe Korenë Jugore. Për momentin prodhimet tona ndodhen në shitje në më shumë se 40 shtete te ndryshme të botës.
KultPlus: Një nga produktet/brendet e juaja quhen “FRECOPAD, iREST & iFACE” te cilat tani gjinden ne shitje ne shume vende te botes, i keni sjelle edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore. Si po pranohen këto brende/produkte në trojet shqiptare?
Micky Haxhiislami: Produkti jonë me i suksesshëm është “kompresa freskuese”, apo siç quhet në anglisht ‘cooling gel sheet’ apo ‘cooling patch’, nën brendin tonë privat ‘FRESCOPAD’, që shitet tani me miliona copë për çdo vit anë e mbanë botës. Ky produkt vendoset në ballë dhe është totalisht pa asnjë efekt anësor dhe plotësisht efektiv kundër temperaturave të larta, etheve, kokëdhimbjes, migrenës, dhimbjes së dhëmbit, lëndimeve sportive, si dhe për largimin e sikletit nga ngrohja gjatë ditëve dhe netëve të nxehta të verës.
Kemi gjithashtu edhe shumë produkte/brenda tjera innovative siç janë maska kozmetike me akullxhel për fytyrë (iFACE), nën sy (iREST), sy (iKOOL), mjekër (CHINUP PATCH), thembra (HEELCARE), etj., të cilat poashtu janë shumë efektive dhe pa asnjë efekt anësor, si dhe ato për terapi me ngrohje siç janë WARMEX që vendosen përmbi të brendshmet, si dhe ato THERMALPAD të cilat vendosen direkt në lëkurë, ne burimin e dhimbjes.
Këtë vit e themeluam kompaninë tonë edhe në Prishtinë, me emrin “Intermedico Japan Europe LLC”, me qëllim që ta mbulojmë tregun Evropian nga Kosova me produktet tona të dëshmuara në shumë shtete të botës. Fillimisht kemi startuar me 3 produktet/brendet tona më të suksesshme: FRESCOPAD, iREST dhe iFACE. Edhe pse menjëherë u ballafaquam me pandemi, kohën më të vështirë në histori të njerëzimit, prap se prap shitja e produkteve dalëngadalë po ngritët, dhe ne ndjehemi mjaft te lumtur për këtë gjë, sidomos duke e pasur parasysh se në shumicën e rasteve kemi blerje të përsëritshme nga klientët e njëjtë, kjo do të thotë shumë. Sigurisht që kemi nevojë për më shumë shitje, mirëpo pasi që e nënshkruam edhe kontratën me “Posta e Kosovës”, blerja e produkteve tona për nevoja personale tani është mundësuar në më shumë se 37 shtete të botës, diçka qe ne kurrë më parë nuk e kemi bë, pasi që si prodhues kemi punuar vetëm me distributor të mëdhenj, dhe nuk jemi marë fare me shitje me pakicë.
Për më shumë informata në lidhje me produktet tona, i lusim lexuesit e juaj ta vizitojnë faqen tone www.intermedicojp-eu.com ku mund të bëhen më familjarë me beneficionet e tyre, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë angleze./ KultPlus.com