15 Maj, 2021 - 1:01 pm
Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova, kohë më parë pati publikuar një fotografi derisa po lexonte librin “Zonja sekretare” të Madeleine Albright, shkruan KultPlus.
Ai ka veçuar një pjesë të librit nga viti 1998 kur Albright e përshkruan atmosferën gjatë takimit me Rugovën, ku ai i kishte kërkuar me shaka që Kosova të bëhej shteti i 51-të amerikan.
“Ri lexim: Kosova shteti i 51-të amerikan! “Gjatë takimit u zhgënjeva kur pashë mimikën e kolegëve të RUGOVËS, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa ai fliste. Gjithsesi, RUGOVA foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO-ja të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopter të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishte një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i pesëdhjetenjëtë amerikan”, shkruhet në librin e Albright./ KultPlus.com