Rugova pa Qendër Mjekësore, turistët duhet të kthehen në Pejë për kontrolla mjekësore

16 Tetor, 2020 - 11:48 pm

Në fshatrat e Rugovës ka mungesë të Qendrave Mjekësore, gjë e cila nuk është rregulluar për shumë vite. Banorët dhe turistët kanë probleme,  sepse duhet të udhëtojnë nga Rugova deri në qytetin e Pejës dhe të trajtohen në Spitalin e përgjithshëm në Pejë për çdo shqetësim shëndetësor që ata kanë.

“Një objekt i cili është ndërtuar posaçërisht për shërbime mjekësore, që ndodhet afër fshatit Bogë, në Haxhaj, është jashtë përdorimit dhe në këto kohë keqpërdoret nga të rinjtë e qytetit dhe fshatrave”, ka thënë Xhavit Husaj, qytetar nga fshati Haxhaj.                                                  

(Qendra Mjekësore në Fshatin Haxhaj)                                                    

Për shkak të mungesës së këtyre qendrave mjekësore, turistët që kanë vizituar dhe qëndruar në Rugovë, në rast të ndonjë shqetësimi shëndetësor u është dashur t’i anulonin pushimet e tyre për tu kthyer në qytetin e Pejës që të kontrollohen ose konsultohen me mjekët.  

“As ndihmën e parë nuk ke ku e merr në këto male, duhet urgjentisht të nisesh për në qytet. E kjo është shqetësim i madh dhe duhet të ndermirën masa”, thotë Kreshnik Lajqi i cili shkon shumë shpesh në bjeshkët e Rugovës për pushime verore e dimërore.

“Në fshatin Haxhaj përballë shkollës objekti ekziston në gjendje jo të mirë fizike. Objekti ka qenë i rregulluar, ashtu si edhe shkolla, por njerëzit e pandërgjegjshëm e kanë shkatërruar, duke i thyer xhamat, dyert etj. Sot e kësaj dite është në gjendje të mjerueshme.” tha një qytetar nga  Rugova i cili deshi të mbetet anonim.

(Njëra nga dhomat e objektit në fshatin Haxhaj.)

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se duhet të ketë pacientë që të funksionojnë këto qendra. Dhe se asnjëherë nuk ka pranuar ankesë nga banorët e fshatrave të Rugovës.

“Së pari duhet të ketë pacientë që të funksionojnë këto qendra, por prapë komuna jonë ka paraparë ekipe mobile kur ka flukse të mëdha të vizitorëve. Nuk kemi pranuar asnjëherë ankesa”, ka thënë Muhaxheri.

Distanca në mes Pejës dhe Bogës është 58 km me rrugë dhe banorëve ose turistëve të këtij vendi u është dashur të udhëtojnë deri në qytetin e Pejës për tu konsultuar me mjekët për shqetësime shëndetësore nga më të voglat deri tek ato më tragjike.

Nexhat Delijaj, banor i fshatit Kuqishtë, tregon se pse është e rëndësishme qendra mjekësore në Rugovë dhe se sa ka funksionuar objekti në fshatin Haxhaj.

“Qendra mjekësore është e nevojshme, sepse gjatë gjithë kohës ka banorë vendas, pas luftës në fshatin Haxhaj është ndërtuar një qendër mjekësore me donacione të huaja por që s’ka funksionuar asnjëherë, e sot është e shkatërruar”, shton Delijaj.

Drejtori komunal për shëndetësi në Pejë, Petrit Loci thotë se staf mjekësor ka mjaftueshëm për shëndetin primar dhe se komuna e Pejës ka vendosur të funksionalizoj objektin në fshatin Haxhaj.

“Staf mjekësorë kemi mjaftueshëm për shëndetin primar. Fshatrat e Rugovës nga viti 2012 nuk kanë shërbime mjekësore statike në Amf për shkak të mungesës së banorëve rezident në këto vendbanime, komuna e Pejës ka vendos ta funksionalizoj objektin që ndodhet në Haxhaj sepse ka pozicionin më të përshtatshëm”, ka thënë ai.

Ndërkohë, derisa Rugova shihet si pikë kryesore e turizmit në Kosovë, në të njëjtën kohë, turistëve, qoftë vendorë apo të huaj, nuk i ofrohet kujdesë shëndetësor, që shpesh mund të rezultojë me anulime të pushimeve, të cilat mund të reflektojnë keq për zhvillimin e turizimit në këtë pjesë./ Diona Krasniqi/ KultPlus.com

Të ngjajshme