19 Gusht, 2024 - 7:01 pm
Fondacioni i aktorit amerikan George Clooney dhe bashkëshortes së tij, avokates për të drejtat e njeriut Amal Clooney, i cili kryesisht lufton për drejtësi dhe barazi, është shpallur një organizatë “e padëshirueshme” dhe për këtë arsye është ndaluar të operojë në Rusi, njoftoi sot Prokuroria e Përgjithshme Ruse.
Fondacioni Clooney për Drejtësi, një organizatë jofitimprurëse amerikane, “mbështet në mënyrë aktive patriotët e rremë dhe anëtarët e organizatave të ndaluara ekstremiste dhe terroriste”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.
“Nën maskën e ideve humanitare, këta ‘luftëtarë për drejtësi’ (…) promovojnë iniciativa për ndjekje penale kundër autoriteteve më të larta ruse”, denoncon Prokuroria e Përgjithshme Ruse.
“Aktivitetet e organizatës joqeveritare Clooney Foundation for Justice u shpallën të padëshiruara në territorin e vendit tonë”, përfundon deklarata e saj, e cila titullohet: “Prokuroria e Përgjithshme Ruse vlerësoi talentin e aktrimit të aktivistëve të Hollivudit”.
Autoritetet ruse nuk kanë reshtur së shtuari goditjen e tyre ndaj zërave të opozitës që nga shkurti i vitit 2022 kur forcat ruse pushtuan Ukrainën.
Në fillim të gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm shpalli “të padëshirueshëm” fondacionin gjerman Konrad Adenauer, i cili kryesisht synon të promovojë demokracinë. Në korrik, media ruse The Moscow Times u ndalua.