13 Tetor, 2021 - 4:15 pm
RYCO hap thirrjen për shkëmbime midis shkollave të mesme të Ballkanit Perëndimor.
Dje me 12 tetor, Zyra Lokale e RYCO-s në Kosovë bëri hapjen zyrtare të programit Supershkollat së bashku me:
– Znj. Maloku Bërdyna, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
– Z. Tomáš Szunyog, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë;
– Z. Joern Rohde, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë;
– Znj. Marie-Christine Butel, ambasadore e Republikës së Francës
Aplikimet për Skemën e Shkëmbimit të Supershkollave të RYCO-s tashmë janë hapur. Kjo mundësi e sapokrijuar për shkollat, nxënësit dhe mësuesit ka për qëllim të mbështesë proceset e paqes e pajtimit, si dhe dialogun dhe të mësuarit ndërkulturor midis shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre. Duke marrë pjesë në këtë program, shkollat e mesme do të kenë mundësinë të aplikojnë, dhe nëse zgjidhen, të zbatojnë shkëmbime shkollë-me-shkollë, si dhe të marrin pjesë në veprimtaritë e programit të dedikuara ngritjes së kapaciteteve, krijimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit.
Programi, i cili do të zbatohet gjatë tre viteve të ardhshme, do të përqendrohet në mbështetjen e shkollave për të hartuar dhe zbatuar shkëmbime rinore, si dhe për të hartuar një skemë rajonale shkëmbimi shkollor, që do t’u mundësojë nxënësve të shkollave të mesme të marrin pjesë në programet afatgjata të shkëmbimit të RYCO-s. Çdo shkollë e mesme, publike apo private, në vendet e Ballkanit Perëndimor, është e ftuar të aplikojë dhe shpenzimet e shkëmbimeve do të mbulohen nga RYCO, në kuadrin e projektit të zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian Union (EU) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Çdo shkollë e interesuar, me anën e platformës online www.superschools.net, duhet të regjistrohet, të krijojë profilin e saj online dhe të gjejë shkollën e saj partnere nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnia dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia); më pas, duhet të gjejë dhe propozojë në aplikimin e saj, veprimtaritë e përbashkëta gjatë shkëmbimit. Shkëmbimet e vitit të parë do të bëhen nga shkurti deri në maj 2022 dhe çdo shkollë do të organizojë një vizitë shkëmbimi 6 deri në 10 ditore, tek shkolla e saj partnere, me një grup me 10 deri 20 nxënës dhe 1 deri në 2 mësues.
Me anën e kësaj skeme shkëmbimi, nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre tek shkollat mikpritëse, si dhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet lokale, pjesë të rajonit tonë.
Për të aplikuar deri më 28 tetor ose për më shumë informacion, vizitoni www.superschools.net ose kontaktoni Zyrën më të afërt Rajonale të RYCO-s.
Mbi Programin Supershkollat
Supershkollat është një program i RYCO-s për shkëmbimet shkollore në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që ka për qëllim të mbështesë proceset e paqes e pajtimit, si dhe dialogun dhe të mësuarit ndërkulturor midis shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre. Programi është pjesë e një projekti me shumë donatorë “Skema e Shkëmbimit të Shkollave të Ballkanit Perëndimor”. Ai bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Projekti ka një buxhet total prej 5.5 milion Euro dhe ndihmon në arritjen e objektivit të rritjes së aftësive dhe njohurive të të rinjve në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar sistemet e edukimit dhe promovuar bashkëpunimin në rajon, me anën e krijimit të një skeme të shkëmbimit shkollor rajonal.
Mbi RYCO-n
RYCO është një organizatë ndërqeveritare që promovon bashkëpunimin rajonal ndërkulturor midis të rinjve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Programet e RYCO-s përqendrohen në krijimin e mundësive për të rinjtë që të përfshihen në veprimtari që zhvillojnë të kuptuarit e përbashkët dhe pajtimin në fushën shoqërore, arsimore, kulturore dhe sportive. RYCO është nismëtare dhe pjesëmarrëse në bërjen e politikave dhe reformave promovuese të paqes dhe bashkëpunimit. RYCO mbështet zhvillimin e një mjedisi politik dhe shoqëror që fuqizon dhe mundëson shkëmbimet rinore.
RYCO i vë të rinjtë në qendër të punës së saj dhe beson se ata duhet të krijojnë një kulturë mobiliteti, shkëmbimi dhe pajtimi ndërkulturor. Të rinjtë duhet të jenë kontribues aktivë të zhvillimeve demokratike, përparimit shoqëror e ekonomik, si dhe të integrimit Evropian, në rajonin gjithnjë e më të hapur të Ballkanit Perëndimor. Shoqëritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të japin mbështetje proaktive për shkëmbimet rinore dhe përfshirjen e rinisë në dhe midis vendeve të rajonit./KultPlus.com