Safete Rugova nderohet me çmimin “Sevdije Ahmeti”

12 Dhjetor, 2020 - 1:39 pm

Çmimi “Sevdije Ahmeti” këtë vit u nda për aktivisten Safete Rogova, për kontributin e saj në fuqizimin dhe arsimimin e grave dhe vajzave, shkruan KultPlus.

“Edhe pse në kohë pandemie RrGK nuk u ndal kurrë së punuari. Ju falenderoj nga zemra që sot më nderuat me çmimin “Sevdije Ahmeti”. Për mua, Sevdija mbetet ndër gratë më të fuqishme që Kosova ka pasur ndër vite” , tha Safete Rogova, aktiviste dhe fituese e çmimit të RrGK-së “Sevdije Ahmeti” për vitin 2020.

Duke qenë se Sevdija ishte ideatorja dhe shtylla e lëvizjes së grave në Kosovë, e këtu flitet në veçanti për vitet ’90, këtë vit këtë çmimi është lidhur po me një grua që nismat në luftën e saj për fuqizimin e vajzave dhe grave dhe arsimimin e tyre e ka nisur po në të ’90-tat. Në fakt ajo, bashkë me bashkëthemeluesen e simotrat tjera, sivjet shënojnë edhe 30 vjetorin e themelimit të shoqatës Motrat Qiriazi. Këtë vit çmimi Sevdije Ahmeti ju nda Safete Rogovës.

Safetja, fëmija i pestë (nga gjithsejt nëntë sa ishin), në vitin 68, luftën e saj e nis kur thyen tabutë e asaj kohe dhe vendosi të studjojë dramën e të bëhej aktore. Aty filloj jeta e saj me teatrin. E gjeti veten në skenë me fjalën e thënë të çiltër, të sinqertë nga zemra, nga ndjenja, nga e gjithë ajo që fjalës skenike i jep jetë, forcë, ndjeshmëri, fjalës që publikun e josh dhe e bën për vete. Kështu është Safetja edhe pas mbi 120 roleve të realizuara.

Po Safetja nuk mbeti vetëm aktore. Ajo është edhe veprimtare dhe humaniste. Duke mos dashur të rrëmbehet nga amullia e ujrave të ndotur politik serbosllave që në fillim të viteve 90-të, Safeten e shohim të formojë bashkë me të shoqin Nuredinin, motrën Igballen dhe shumë arsimdashës, shoqatën për emancipimin dhe arsimimin e gruas “Motrat Qiriazi”. Një mision i ri. Një mundësi më shumë për shpirtin e një veprimtareje, e nje humanisteje. Kështu fillon angazhimi i aktivisteve në Has, Viti, Shipol, Kamenicë dhe anekand Kosovës. Me një përkushtim të madh iu rrekën punës në teren duke mos kursyer as mundin, as kohën e as shpirtin. Dhe kur kriza politike po thellohej në Kosovë, kur doli në dritë rezistenca e armatosur kundër një dhune të paparë të pushtetit serb, shoqata “motrat Qiriazi” ndërroi diskursin e vet dhe u vu në shërbim të të zhvendosurve nga zonat ku po zhvilloheshin luftimet e armatosura, duke ju ndihmuar, duke i përkrahur dhe duke qëndruar pranë të dëbuarve ditë e natë për ta zbutur sado pak dhimbjen për dëbimin nga vatrat e tyre. Ishte ky mision njerëzor për ta mbrojtur jetën e të dëshpëruarve dhe për ta ushqyer shpresën e tyre.

Duke e përcjellë jetën dhe veprimtarinë artistike të Safetes, sidomos të kësaj humanisteje, e frymëzuar dhe e mbështjellë me shumë dashuri me sarin bardh e blu gjegjësishtë, kostumin e shenjtë të humanistes së madhe Nënës Terezë, Safete Rogova, me vetëdije apo pa te, në mënyrë fare të natyrshme e përmbushi jo vetëm amanetin e Motrave Qiriazi por edhe amanetin e shenjtë të Nënës Terezë për rrugëtimin e saj të quajtur Jetë.

Ndër shumë mirënjohje e shpërblime që Safetja ka marr për punën e vet në Teatër e veprimtari të tjera, dëshmojnë shpërblimet “unaza e Katit”, “aktorja më e mirë e vitit 2000”, “mirënjohje nga gratë deputete”, “qytetare nderi e Hasit”, “medaljen e argjendt nga presidenca 2012”, “çmimin për vepër jetësore” nga Ministria e Kulturës.

Në vitin 2018, për ta nderuar figurën e Sevdije Ahmetit, RrGK krijoi çmimin Sevdije Ahmeti me të cilin çdo vit do të nderoheshin figura grash që kanë lënë gjurmë në lëvizjen e grave dhe avancimin e pozitës së gruas në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme