20 Dhjetor, 2020 - 9:55 am
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Blerim Rexha ka pohuar se sajtet e institucioneve kosovare kanë nevojë për përmirësim sepse atyre iu mungojnë kriteret bazë të sigurisë.
“Në vitin 2015 ne kemi bërë një analizë pothuajse për të gjitha sajtet e institucioneve publike dhe në bazë të asaj analize kemi bërë edhe një publikim shkencor që është mirëpritur shumë mirë nga komuniteti akademik ku kemi analizuar sigurinë e këtyre sajteve në varshmëri të kompetencës së zhvilluesve të softuerit dhe kemi parë që shumë sajte të këtyre institucioneve kanë mangësi të cilat e cenojnë privatësinë dhe rrezikojnë sigurinë e atyre shënimeve”, ka thënë Rexha.
“Mirëpo nga viti 2015 e deri më tani është bërë një përmirësim i dukshëm, por ende shumë institucioneve iu mungojnë kriteret bazike të implemetimit të mekanizmave të sigurisë dhe pra si përfundim shumë institucione kanë nevojë të përmirësojnë faqet e tyre në internet nga kuptimi i sigurisë”.
Profesori universitar ka treguar për EO se mangësia kryesore që kanë këto sajtë është mungesa e certifikatës së sigurisë.
“Në rend të parë tani viteve të fundit kemi parë një përmirësim nga protokolli i sigurisë që ne e quajmë një SSL protokoll ose një certifikatë e sigurisë, dhe tanimë thuajse të gjitha faqet e kanë këtë, por ka ende disa, kjo është e para. Pastaj ka ende shumë faqe të kenë formën e autetifikimi ku shfrytëzuesi gjegjësisht përdoruesi duhet së pari të regjistrohet dhe pastaj të autetifikohet që i bien që duhet të tregoj kredencialet e veta dhe çdo veprim i mëvonshëm len gjurmë në faqen e institucionit ashtu që mos të kemi veprime anonime në faqe sidomos të institucioneve qeveritare”, ka thënë Rexha.
Po ashtu Rexha ka këshilluar institucionet që të mos jenë rehat pse kanë një faqe të sigurt sepse kjo gjë mund të mos vlejë edhe nesër por të punojnë vazhdimisht në avancimin e sigurisë.
“Pre e sulmeve kibernetike mund të jenë të gjithë. Sa më i vlefshëm informacioni që mbajnë ato faqe aq më i madh është interesimi për sulme ndaj atyre faqeve prandaj kjo varet shumë nga lloji dhe sasia e informacionit që mbajnë ato faqe. I sigurt nuk është askush sepse kjo është një garë e vazhdueshme në mes të zhvilluesve dhe keqdashësve apo keqbërësve në internet”, ka thënë ai,
“Kështu që institucionet nuk duhet të ndihen rehat e të jenë të qeta nëse kanë një faqe sot të sigurt sepse ajo nuk do të thotë që është nesër e sigurt. Dhe kjo është një punë, shkollim e trajnim i vazhdueshëm i atyre që merren me mirëmbajtjen dhe azhurnimin e këtyre faqeve”.
Sipas profesorit përgjegjës për ruajtën e të dhënave të qytetarëve është Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Për të dhënat e qytetarëve kemi institucionet përgjegjëse që janë të thirrura me ligj që të ruajnë të dhënat personale. Kjo është detyrë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të sigurojë që këto të dhëna të mos keqpërdorën gjegjësisht të mos përfundojnë në palë të treta. Kjo është përgjegjësi në rend të parë e institucionit dhe agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka përfunduar Rexha. /express/ KultPlus.com