Sali Berisha shpallet non grata edhe në Britani

22 Korrik, 2022 - 12:48 pm

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shpallur person non grata edhe nga Britania e Madhe.

Berisha ka njoftuar se lajmi i ka ardhur nga autoritetet britanike të cilat kanë marrë vendim për moslejimin e hyrjes së tij në Mbretërinë e Bashkuar për disa arsye.

Sipas asaj që iu tha Berisha gazetarëve në Shqipëri, Britania ka thënë se ai ka lidhje me grupe të krimit të organizuar, se paraqet rrezik për sigurinë në Shqipëri dhe Britani e për korrupsion.

“Një, se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe dy, për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese”, ka lexuar Berisha nga fleta që iu është dorëzuar.

Berisha ka thënë se vendimi është shpifje për interesa “të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros”.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë një vit më parë u shpall non grata edhe nga SHBA-ja. / TCH / KultPlus.com

Të ngjajshme