15 Korrik, 2020 - 4:29 pm
Salla e sportit në Istog do të përfundojë në shtator, shkruan KultPlus.com
Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”, tha mes tjerash ministrja.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Salla e Sportit në Istog, projekt i cili ka nisur në vitin 2007, do të përfundojë në shtator të këtij viti, e ministria ka investuar mbi 2,4 milion euro. Këtë gjë e paralajmëroi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë një vizite sot në Istog, kur për së afërmi përcolli investimet në të cilat po investon MKRS-ja në këtë komunë.
Ministrja Dumoshi, e shoqëruar edhe nga zëvendësministri Engelbert Zefaj dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, fillimisht u prit nga kryetari i kësaj komune, Haki Rugova, me të cilin diskutuan për projektet që po investon ministria në Istog si dhe mbarëvajtjen e tyre. Gjithashtu, u bisedua edhe për nevojat dhe problemet tjera që ka Komuna e Istogut, në resorët që i mbulon MKRS-ja dhe që janë të interesit të përbashkët.
“Interesi i Qeverisë dhe plani programor i saj është i lidhur me zhvillimin e komunave të Kosovës. Në kuadër të kësaj, fushat e kulturës, rinisë dhe sportit, të cilat mbulohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes investimeve të saj në komuna, janë konform këtij plani. Ndër marrëveshjet e para që kam nënshkruar si ministre me komunat, ka qenë me komunën e Istogut. Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”, tha mes tjerash ministrja.
Ministrja Dumoshi foli edhe për projektet për sektorin e rinisë dhe porositi drejtuesit e komunës së Istogut që të inkurajojnë të gjithë të rinjtë e Istogut që të aplikojnë në programet që ka MKRS-ja për rininë, qoftë në programet e trajnimit për ndërmarrësi, në programet startup, e të gjitha thirrjet tjera. Ministrja ribëri të ditur që nga fondi 5 milionë euro që veç është paralajmëruar për MKRS-në, një pjesë do të ndahet edhe për rininë.
“Si ministri do të angazhohemi në maksimum duke bashkëpunuar edhe me komunat që të parandalojmë emigrimin e të rinjve jashtë vendit duke krijuar kushtet që të rinjtë të zhvillohen dhe të avancohen në vendin tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi, edhe e cila u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë në thirrjet e ministrisë.
Ndërsa, kryetari Haki Rugova, e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë e treguar për ta mbështetur me investime Komunën e Istogut, në projekte të cilat janë të nevojshme dhe në dobi të qytetarëve të kësaj ane. Ai tha se me ministren Dumoshi dhe stafin e saj kanë diskutuar për përfundimin e sallës së sportit në Istog dhe shumë e shumë projekteve tjera që po investohen në këtë komunë. “Dua ta falënderoj ministren Dumoshi për kujdesin ndaj Istogun sepse me marrjen e detyrës si ministren vizitën e parë e ka pasur në komunën tonë”, kujtoi kryetari Rugova.
Ministrja Vlora Dumoshi inspektoi investimet të cilat po financon MKRS-ja në këtë komunë. Bëhet fjalë për projektet kapitale e Sallës së Qytetit në Istog, stadiumin “Demush Mavraj”, sallën e edukatës fizike në fshatin Vrellë, e që kalojnë vlerën financiare mbi një milionë euro vetëm për vitin 2020 si dhe “Memorialin Ibrahim Rugova”, objekt multifunksional i cili do të luajë edhe rolin e muzeut si një atraksion turistik i këtij qyteti.
Gjatë vizitës në sallën e sportit të qytetit ministrja Dumoshi tha se Istogu e meriton një sallë të këtillë sepse ka traditë, sidomos në sport dhe përmendi edhe basketbollistin e atletin e sportit Fikret Shatri. “Sportistët e Istogut do të kenë një hapësirë moderne ku do të mund t’i zhvillojnë aktivitetet sportive e garat”, tha ajo mes tjerash.
Ndër projektet që do të përkrahen në Istog do të jetë edhe finalizimi i “Memorialit Ibrahim Rugova” të cilin ministrja pati rastin të vizitojë. Ministrja tha se MKRS-ja në Istog është duke investuar dhe financuar edhe në fushën e trashëgimisë dhe vetëm në këtë vit janë duke u zhvilluar 8 projekte në gërmime e në restaurime.
“Memoriali Ibrahim Rugova është një hapësirë e mrekullueshme multifunksionale e cila do të jenë në funksion për aktivitete të ndryshme kulturore e artistike. Ashtu siç u zotova në zyrën e kryetarit, bashkërisht do ta bëjmë konceptin muzeal ku do të mund të ekspozohen eksponatet e ndryshme pasi që Istogu përpos që ka bukuri natyrore është i pasur edhe me arkeologji”, theksoi ministrja Dumoshi, duke kujtuar se memoriali do të përfundojë me vënin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, në qytetin e vendlindjes së tij”. / KultPlus.com