4 Shkurt, 2025 - 9:00 pm
Aktiviteti sizmik, që nisi të shtunën, vazhdon ende në zonën detare midis ishullit të njohur grek, Santorini dhe Amorgos.
Një tërmet i lehtë me magnitudë 4,6 të shkallës Rihter u regjistrua dje në orën 19:44 nga rrjeti sizmologjik i Observatorit Kombëtar të Athinës, në një distancë prej 233 kilometra në juglindje të Athinës.
Epiqendra e tërmetit ishte në det, pranë Amorgos.
Më herët, të paktën gjashtë lëkundje, magnituda e të cilave kaloi nivelin 4,0 të shkallës Rihter u regjistruan midis orës 09:36 dhe 11:29 të së hënës, me më të madhin në orën 11:29 me magnitudë 4,9 të shkallës Rihter dhe një epiqendër 25 kilometra në jugperëndim të Amorgos.
Kjo u pasua nga një tjetër tërmet me magnitudë 4,9 të shkallës Rihter në orën 14:17 të së hënës pasdite, me epiqendër 18 kilometra në jug jugperëndim të Arkesinit, Amorgos dhe 231 kilometra në juglindje të Athinës.
“Sekuenca që po zhvillohet në veri të Santorinit ka një origjinë tektonike, ajo filloi nga ngacmimi vullkanik, i cili filloi më 2 gusht 2024 me një zgjerim të ngadaltë të vullkanit. Ka një krizë sizmo-vullkanike të vazhdueshme në kompleksin vullkanik Thera-Kolumbo, e cila po monitorohet dhe po merren të gjitha masat për skenarët e mundshëm”, tha Athanasios Ganas, drejtor i Kërkimeve në Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.
”Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri të premten në ishujt Santorini, Anafi, Ios dhe Amorgos për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm sizmik”, thanë ekspertët e dy komiteteve të monitorimit të tërmeteve në Greqi.
Komitetet vunë në dukje se aktiviteti sizmik në det në afërsi të ishullit Anydros, midis Santorinit dhe Amorgos, është veçanërisht intensiv duke regjistruar 200 tërmete me magnitudë mbi 3,0 ballë të shkallës Rihter që nga e shtuna e 1 shkurtit.
”Aktiviteti sizmik brenda kalderës së Santorinit mbetet në të njëjtat pika të ulëta si ditët e mëparshme”, thanë komitetet pas shqyrtimit të të dhënave përkatëse.
Ndërkohë, linja ajrore ”SKY Express” ka shtuar fluturimet për/nga Santorini të hënën dhe të martën 3-4 shkurt për të lehtësuar transportin e njerëzve nga/në ishull.
”Attica Group” informoi pasagjerët të hënën se ka vazhduar me caktimin e një udhëtimi shtesë me traget që niset nga Santorini, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së banorëve dhe vizitorëve në ishull.
Ajo tha se po monitoron zhvillimet dhe nëse është e nevojshme, do të vazhdojë me ndryshime të mëtejshme të itinerareve të saj për të përforcuar lidhjet midis Santorinit dhe Pireut./atsh/ KultPlus.com