Saranda Bogujevci ishte vetëm 13 vjeç kur ka humbur familjen dhe i mbijetoi 16 plumbave

20 Nëntor, 2020 - 1:31 pm

Saranda Bogujevci, shpesh në organizime të ndryshme ka shpalosur dhimbjen e saj pasi që një pjesë e familjes ju vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Saranda Bogujevcit, iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë një sulmi brutal të ushtrisë serbe, gjatë luftës së vitit 1998-99, në Kosovë.

Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet. Ajo u kthye në atdheun e saj në vitin 2014.

Saranda Bogujevci, atëherë 18 vjeçe, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe, të udhëhequra nga Slobodan Millosheviç.

Familja e Bogujevcit u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si ‘Akrepat’. Viktima më e re ishte dy vjeçe. Pesë burra u burgosën për këto vrasjet dhe në vitin 2013, Saranda Bogujevci u kthye në Beograd, aty ku ajo kishte dëshmuar kundër tyre, për të organizuar një ekspozitë rreth vrasjeve në familjen e saj.

Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, u hap me 18 dhjetor, në Galerinë “Podroom” në Qendrën Kulturore në Beograd. Ekspozita nga Qendra kulturore në Beograd, ishte vlerësuar si një projekt me kontekst politik, por para së gjithash, një rrëfim për tragjedinë personale. / KultPlus.com

Të ngjajshme