9 Nëntor, 2024 - 11:00 pm
Në Panairin Ndërkombëtar të Zvicrës, Bashkia Sarandë përfaqësoi potencialin turistik dhe kulturor të qytetit.
Ministrja e Bujqëisë dhe Zhvilimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga ky panair, teksa vlerësoi promovimin e Sarandës si një destinacion i veçantë turistik për publikun zvicerian.
“Ky panair prestigjioz bashkon ekspertë të fushës dhe ofron një mundësi të veçantë për vendosjen e kontakteve të reja dhe promovimin e Sarandës si një destinacion i veçantë turistik për publikun zvicerian”, tha Denaj.
Saranda ndodhet në jug të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe është lehtësisht e aksesueshme përmes rrugëve dhe transportit publik.
Gjurmët më të vjetra të zbuluara në zonën përreth qytetit, datojnë në periudhën antike, me prani të qytetërimeve të hershme dhe gjurmë të pasura historike.
Qyteti i bukur i Sarandës ka një klimë mesdhetare. Bregdeti i Sarandës, me ujërat e tij të kristalta dhe plazhet e mrekullueshme, tërheq turistë nga e gjithë bota. Vlerat e pasura të trashëgimisë kulturore, arkeologjike dhe natyrore të qytetit së bashku me pamjet piktoreske të detit Jon, përbëjnë një bazë të fuqishme për zhvillimin e turizmit./atsh/ KultPlus.com