Saranda, destinacioni i preferuar turistik, mbi 200 mijë pushues në qershor-gusht

20 Shtator, 2020 - 12:30 pm

Qyteti bregdetar i Sarandës edhe këtë sezon veror ishte një ndër destinacionet kryesore të turizmit.

I njohur për plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore gjatë periudhës qershor-gusht pati një numër të lartë vizitorësh, por në krahasim me vitet e kaluara ky numër ishte më i ulët për shkak të pandemisë COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, tha për ATSH-në se “në periudhën qershor-gusht Saranda u vizitua nga 200-220 mijë turistë vendas e të huaj. Ky numër krahasuar me vitet e kaluara është më i ulët, për shkak të pandemisë. Në vitin 2019 në të njëjtën periudhë Saranda u vizitua nga rreth 820 mijë turistë”.

“Këtë sezon turistik Saranda u frekuentua nga turistët vendas, ata nga Kosova dhe shtetasit e huajt si nga Polonia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia etj”, – theksoi Gurma.

Sipas tij, muaji gusht ishte më i preferuari i turistëve ku pati edhe një rritje të numrit të tyre.

“Më të frekuentuarit si në Sarandë edhe në Ksamil kanë qenë hotelet në vijën e parë të bregdetit, të cilat ishin të prenotuar në nivelin 35-40%”, – tha Gurma.

Kryebashkiaku Gurma shprehet se “edhe qyteti antik i Butrintit ka qenë pjesë e itinerarit të turistëve të huaj, të cilët mahniten me bukurinë dhe qetësinë që ky park kombëtar ofron”.

Faqja e njohur e udhëtimeve turistike “TripAdvisor” në listën e nxjerrë në muajin prill me 25 destinacionet më të mira në botë, që i sugjeron për t’u vizituar këtë vit e renditi Sarandën në vendin e dytë.

Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.

Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme