2 Nëntor, 2024 - 2:30 pm
“Saranda-explore.al” është platforma më e re interaktive që zbulon vlerat kulturore, arkeologjike dhe natyrore të Sarandës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale linkun e kësaj platforme, që i vjen në ndihmë çdo vizitori me informacione dhe vendndodhje të destinacioneve atraktive në qytetin e Sarandës, krahas pasurive kulturore dhe arkelogjike që gjenden në këtë zonë.
“Një thesar mesdhetar për turistët që ofron një përzierje të historisë, kulturës dhe peizazheve të mrekullueshme”, u shpreh Denaj.
Ministrja bëri të ditur se ky projekt është financuar nga Bashkia Sarandë dhe ”Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 – ReLOaD2”, i Bashkimit Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Saranda ndodhet në jug të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe është lehtësisht e aksesueshme përmes rrugëve dhe transportit publik.
Gjurmët më të vjetra të zbuluara në zonën përreth qytetit, datojnë në periudhën antike, me prani të qytetërimeve të hershme dhe gjurmë të pasura historike.
Qyteti i bukur i Sarandës ka një klimë mesdhetare. Bregdeti i Sarandës, me ujërat e tij të kristalta dhe plazhet e mrekullueshme, tërheq turistë nga e gjithë bota. Vlerat e pasura të trashëgimisë kulturore, arkeologjike dhe natyrore të qytetit së bashku me pamjet piktoreske të detit Jon, përbëjnë një bazë të fuqishme për zhvillimin e turizmit./ atsh/ KultPlus.com