4 Janar, 2023 - 9:07 am
Dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 janë transportuar për në hapësirë nëpërmjet raketës Falcon 9 të misionit Transporter 6, nga Space Launch Complex 40 (SLC-40).
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar dhe pamje nga nisja e dy satelitëve në hapësirë.
“‘Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2”, shprehet Rama.
Rama thekson se, “nga sot Shqipëria ka më shumë aftësi të teknologjisë së lartë për të kontrolluar, mbrojtur e administruar territorin, duke siguruar në kohë reale të dhëna të rëndësishme në një sërë aspektesh kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm”.
Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milionë dollarë u nënshkrua në fund të muajit shtator të vitit 2022.
Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.
Ndër të tjera, ky shërbim do t’ju mundësojë institucioneve përfituese marrjen e imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive./atsh/ KultPlus.com