23 Tetor, 2024 - 11:52 pm
Sateliti i komunikimit i projektuar dhe i prodhuar nga kompania globale e aviacionit ”Boeing” me bazë në SHBA, u shpërbë në orbitë.
Intelsat, operatori i satelitit të komunikimit “Intelsat 33e”, i njohur edhe si “IS-33e” dha një deklaratë lidhur me këtë temë. Intelsat, i cili më parë njoftoi se sateliti “IS-33e” kishte defekte dhe ndërprerje në shërbimin e tij, raportoi se sateliti shpërtheu në orbitë dhe u zhduk plotësisht dy ditë pas këtij njoftimi.
Duke njoftuar se kanë zhvilluar analizë gjithëpërfshirëse për shkakun e shpërbërjes së satelitit, Intelsat tha se po bashkëpunojnë me prodhuesin e satelitit, Boeing dhe institucionet qeveritare për të shqyrtuar vëzhgimet dhe të dhënat.
Boeing nuk dha deklaratë për incidentin. Sateliti i komunikimit “IS-33e” i prodhuar nga Boeing u lëshua në orbitë në gusht 2016 dhe filloi shërbimin në janar 2017.
Në deklaratën më 19 tetor, Intelsat njoftoi se “iS-33e” kishte keqfunksionuar dhe shumë nga klientët e saj në Evropë, Afrikë dhe rajonet e Azisë-Paqësorit u prekën nga kjo ndërprerje e shërbimit.
Kompania amerikane ”Boeing”, prodhuese e satelitit, prej kohësh po përballet me probleme të shumta. Pas dy shtyrjeve, kompania dërgoi anijen Starliner, me dy astronautë të NASA-s, në hapësirë për herë të parë më 5 qershor. Pavarësisht hetimeve të kryera në anije, ku u konstatua një rrjedhje heliumi, burimi i problemit nuk u gjet dhe kthimi i mjetit në Tokë u shty 4 herë.
Duke vendosur se ishte shumë e rrezikshme të ktheheshin dy astronautë në Tokë me kapsulën e dëmtuar të Boeing, NASA njoftoi se astronautët do të mbaheshin në hapësirë deri në shkurt 2025.
”Boeing” prej pak kohësh është në rendin e ditës me grevën e punonjësve. Kompania nuk arriti të bëjë marrëveshje me punonjësit e saj për rritjen e pagës dhe rreth 33 mijë punonjës që nuk e pranuan ofertën e rritjes së rrogës dolën në grevë më 13 shtator.
”Boeing” tha se planifikonte të merrte masa të tilla si ngrirja e punësimeve, ndalimi i udhëtimeve dhe pezullimi i shpenzimeve jo thelbësore për të ulur kostot pasi punëtorët e saj dolën në grevë në shtator.
Në mesazhin e tij për punonjësit më 12 tetor, shefi ekzekutiv i ”Boeing”, Kelly Ortberg tha se kompania planifikon të reduktojë fuqinë e saj punëtore me 10 për qind./ atsh/ KultPlus.com