25 Shtator, 2022 - 9:04 pm
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës ka njoftuar se greva, e filluar një muaj më parë në arsim, do të vazhdojë, shkruan KultPlus.
SBASHK-u me anë të një komunikate kanë thënë se kanë pritur që gjatë vikendit të ketë reflektim nga ana e Qeverisë.
Gjithashtu, SBASHK-u i ka reaguar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi ai i cilësoi si sindikalistë të PAN-it
“Kryetarët e Këshillave Greviste komunale dhe të universiteteve dhe ata të shoqatave sindikale të Federatës së shërbyesve civilë kanë pritur se e shtuna dhe e diela do të jetë ditë të angazhimet e përkushtimit dhe Qeverisë për të pasur takime me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe për të bërë angazhime për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme .Mirëpo deklarimi i Kryeministrit Kurti duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it ka krijuar indinjatë të grevistët dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë dhe krijohet përshtypja se në vend të angazhimit për takime e arritjen e marrëveshjes së pranueshme Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen e dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë . Ky dyshim i grevistëve është forcuar pas vazhdimit të deklaratave pa as edhe një argument e fakt të Kryeministrit lidhur me grevistët dhe sindikalistët në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.
“Të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”.
“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë përgëzuar grevistët të cilët, edhe përkundër presioneve të vazhdueshme ndaj tyre, por vazhdojnë të qëndrojnë me dinjitet dhe unik në përpjekjet për realizimin e kërkesave të tyre legjitime. Njëheri i sigurojnë grevistet se do te jenë zëri i tyre dhe s’do te pushojnë asnjë moment për të tentuar që të bisedojnë me Qeverinë për të gjetur një mënyrë të realizimit të kërkesave”. /KultPlus.com