SBASHK: Nuk duhet të shtyhet mësimi, do të kemi probleme me zëvendësimin e orëve

19 Shtator, 2021 - 12:00 pm

Kanë mbetur pothuajse edhe 10 ditë deri ne fillimin e vitit të ri shkollor, e për këtë gjë Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj në një prononcim ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe se së bashku me Ministrinë e Arsimit kanë bërë përgatitjet e duhura.

“MASHTI bashkë me Drejtoritë Arsimore kanë deklaruar vazhdimisht edhe në takimet e përbashkëta se kanë bërë gjithë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe urojmë të jetë ashtu” deklaroi Jasharaj.

Sipas Jasharajt mësimdhënësit dhe stafi teknik i shkollave janë vaksinuar dhe janë të kënaqur për faktin që të gjithë punëtorët e arsimit i janë përgjigjur kërkesës së tyre për vaksinim.

“Nga deklarimet e kryetarëve të nivelit komunal sindikal shihet se janë vaksinuar më shumë se 90% e mësimdhënëseve dhe punëtorëve tekniko-ndihmës e administrativ. Besojmë se MASHTI merr informacione ditore e javore lidhur me vaksinimin. Ata para dy jave në takim me mediat kishin përmendur shifrën prej 77 % shifër kjo që ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe jemi të sigurt se deri më 27 shtator do t’i afrohemi shifrës prej gati 100%”, tha Jasharaj për Telegrafin.

E në kuadër të kësaj i pari i SBASHK-ut thotë se nuk duhet të ketë shtyrje të tjera të mësimit për shkak të problemeve qe mund të paraqiten me zëvendësimin e orëve mësimore.

“SBASHK mendon se shtyrje të tjera të vitit të ri shkollor , pavarësisht situatës me Covid, nuk duhet të ketë sepse do të krijohen probleme shtesë dhe do të ketë problem edhe lidhur me zëvendësimin e ditëve të humbura për arsye të dy shtyrjeve të vitit të ri shkollor” tha ai.

Mirëpo edhe nëse institucionet gjegjëse vendosin që të ketë sërish shtyrje për fillimin e vitit të ri shkollor, Jasharaj tregoi se kanë sugjeruar që mësimdhënësit të shkojnë në shkolla dhe të kyçen në platformat përkatëse për shkak të korrektësisë.

“Ne kemi kërkuara nga MASHTI që të krijohen kushtet që nëse duhet të nisim me mësimin nga larg, mësimdhënësit të shkojnë në shkollë dhe nga atje të kyçën përmes platformës gjegjëse sepse kështu drejtori i shkollës dhe përgjegjësit tjerë do ta kenë shumë më lehtë për të përcjellë rrjedhën e mësimit dhe për t’u bindur se gjithë mësimdhënësit janë të kyçur në procesin mësimor nga larg”, u shpreh Jasharaj.

Fillimin e i vitit të ri shkollor Ministria e Arsimit ka vendosur ta shtyjë, dy herë që nga 1 shtatori kur edhe është dashur të fillonte pas konsultimit me Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike e kjo për arsye të situatës së rënduar në vend me Covid-19 në fillim të këtij muaji./KultPlus.com

Të ngjajshme