10 Janar, 2022 - 1:58 pm
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se sot ka filluar edhe periudha e dytë shkollore për vitin 2021/22, shkruan KultPlus.
Përkundër paralajmërimeve se mund të ketë shtyrje të procesit mësimor, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës kanë uruar punëtorët e arsimit dhe i përgëzojnë për gatishmërinë dhe angazhimin që gjysmëvjetori i dytë të nis me sukses.
“Urojmë që të kemi sa më pak telashe e vështirësi me pandeminë dhe të vazhdojmë betejën për dije të reja edhe përkundër mungesës së kushteve për punë dhe të mjeteve bashkëkohore të mësimit. Gatishmëria dhe vullneti juaj në misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave na bën të ndjehemi krenar dhe Ju premtojmë se ne do të vazhdojmë ta ruajmë besimin tuaj duke u angazhuar tani e gjithmonë që të jemi zë i juaji dhe të realizojmë kërkesat tuaja legjitime”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
SBASHK tutje ka bërë apel që të respektohen maksimalisht rekonamdimet e IKSHPKS-së, për të ruajtur shëndetin e nxënësve.
“Ju lusim të angazhoheni maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së duke ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe shëndetin tuaj. Ju përgëzojmë edhe për gatishmërinë e shprehur vazhdimisht që të angazhoheni e të veproni sipas vendimeve të institucioneve përgjegjëse lidhur me situatat që mund të krijohen, sepse fatkeqësisht numri i të prekurve me Covid edhe në Kosovë sa vjen e shtohet. Besojmë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do të na jepte kurajë e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Na priftë e mbara dhe paçim rrjedhë të mbarë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet aty. /KultPlus.com