2 Dhjetor, 2022 - 5:30 pm
Këtë të martë, duke filuar nga ora 17:30, në hapësirat e HUB dhe Kosovo 2.0, do të mbahet organizim/bisedë kushtuar dhunës seksuale ndaj burrave në luftën e fundit në Kosovë, përcjell KultPlus.
Njoftimi i plotë:
Gratë kosovare në kampet e refugjatëve filluan të ndanin rrëfimet e tyre për përdhunimet në grup, të kryera nga forcat serbe, qysh në ditët e para të luftës në Kosovë. Vlerësohet se në vitet 1998 dhe 1999 janë përdhunuar rreth 20,000 njerëz. Menjëherë pas luftës, organizata të tilla si Human Rights Watch natyrën sistematike të krimeve e ndërlidhën me strategjinë më të gjerë të regjimit të Milošević për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Gjatë kohës së luftës pati thashetheme për dhunë seksuale edhe ndaj djemve dhe burrave, tregime e gojëdhëna se gjatë marrjes në pyetje apo në qendrat e paraburgimit, edhe disa burra ishin viktima. Vetëm pas vitit 2018, kur të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës iu mundësua të aplikonin për statusin e viktimave përmes një komisioni verifikues qeveritar, të mbijetuarit meshkuj të dhunës seksuale gjatë luftës filluan gjithnjë e më shumë t’i raportonin historitë e tyre të përvojës traumatike.
Kjo njohje zyrtare dhe sigurimi i mbështetjes financiare inkurajoi dhjetëra burra të kërkonin ndihmë në organizatat që punonin me viktimat. Numri i grave të mbijetuara, që iu drejtuan këtyre organizatave po ashtu u rrit.
Shkalla e dhunës seksuale gjatë luftës ndaj burrave dhe djemve nuk dihet ende. Palëve të interesuara u duhet të presin deri në përfundimin e mandatit pesë-vjeçar të Komisionit të Verifikimit para se të vijnë në një përfundim më të gjerë për nivelin e përhapjes së saj. Çka mbetet e qartë është se ngjashëmj si dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave, këto mizori u përdorën si instrument lufte edhe ndaj burrave dhe djemve.
Në bashkëbisedim me të mbijetuarit, aktivistët dhe studiuesit, artikulli tregon se si sulmet seksuale kanë ndodhur në çdo mjedis, shtëpi e qendra paraburgimi, qofshin ato burgje, stacione policie apo ambiente të improvizuara. Artikulli gjithashtu thekson se dhuna seksuale kundër burrave dhe djemve shqiptarë të Kosovës në qendrat e paraburgimit dhe burgje, ndodhi edhe para luftës, gjatë periudhave të trazirave politike të viteve të ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta.
Pas botimit të artikullit të Kosova 2.0 mbi dhunën seksuale ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës, ju ftojmë të na bashkoheni për një diskutim për ta shqyrtuar më thellë këtë çështje të rëndësishme.
Biseda do të moderohet nga gazetarja e K2.0, Dafina Halili. Në diskutim do të bashkohen:
Selvi Izeti, Psikologe (Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës)
Linda Gusia, Sociologe dhe Ligjëruese (Universiteti i Prishtinës)
Do të ofrohet përkthim në gjuhën angleze dhe serbe.
Kjo ngjarje mbështetet nga National Endowment for Democracy. / KultPlus.com