28 Qershor, 2021 - 5:57 pm
Drejtuesit e “Shoqatës Humanitare Kërçova” me qendër në Vjenë ka nisur një projekt për vendosjen e bustit të heroit kombëtarë në Vjenë.
Drejtuesit e kësaj shoqate realizuan një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo dhe Ministri fuqiplotë Tonin Beci.
“Shoqata Humanitare Kërçova” në këtë takim parashtroi projektin e inicuar prej tyre për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Vjenë dhe përshkroi hapat e ndjekur deri tani me autoritetet e Vjenës si dhe kërkuan ndihmën e bashkërendimin e punës edhe me Ambasadën e Shqipërisë.
Ambasadori Bimo vlerësoi punën e shoqatës në përgjithësi, dhe posaçërisht iniciativën domethënëse për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Vjenë. Më tej, zoti Bimo premtoi ndihmën dhe angazhimin e Ambasadës, në koordinimin e punës me shoqatën për të organizuar përpjekjet dhe lobimin e nevojshëm për të ndikuar tek institucionet vendimarrëse austriake për të realizuar projektin për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Vjenë.
Në takim u ra dakord për takime dhe hapa konkretë të mëtejshëm të drejtuesve të shoqatës “Kërçova” dhe ambasadës për realizimin e projektit në fjalë./ KultPlus.com